E Diel, 1 Nëntor 2026

Një gjyqtar në Tiranë dhe një në Durrës janë nën hetim për ryshfet

Prokuroria dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë vazhdojnë “dorën e hekurt” ndaj gjyqtarëve të korruptuar. Krahas tre gjyqtarëve të cilëve u është hetuar imuniteti dhe po hetohen për korrupsion, akuza qendrore po bën gati kërkesat e tjera. Burime të konfirmuara nga Prokuroria e Përgjithshme deklarojnë se në ditët pasardhëse do t’i kërkojnë KLD-së heqjen e imunitetit për një gjyqtar në Tiranë, i cili është denoncuar për korrupsion. Nga verifikimi i materialit kallëzues, i depozituar në Task-Forcën kundër krimit ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, janë gjetur elementë të veprës penale. Në këto kushte, duke pasur parasysh imunitetin e gjyqtarit, çështja është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit, sipas burimeve, po riharton dokumentacionin për KLD-në. Sipas ligjit, gjyqtari, pas emërimit në detyrë, fiton imunitet. Ai mund të hetohet apo gjykohet vetëm me “lejen” e KLD-së, e cila duhet të votojë. Nëse këshilli nuk jep aprovimin për hetim, atëherë çështja pushohet dhe arkivohet. Sipas të dhënave nga prokuroria, krahas një gjyqtari në Tiranë, po hartohet dokumentacioni për një gjyqtar në Durrës.
Hetimet
Dy gjyqtarë të tjerë, krahas gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, dhe gjyqtares së Krimeve të Rënda, Marsela Balili, janë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe marrjes së ryshfetit. Burime konfidenciale nga akuza qendrore thanë se në mbledhjet e ardhshme të KLD-së do të kërkojnë heqjen e imunitetit për një gjyqtar në Tiranë dhe një në Durrës. Sipas informacioneve nga akuza, kërkesat do të dërgohen në KLD, me gjithë dokumentacionin përkatës. Sipas tyre, në të dyja rastet që janë hetuar në rrethe të ndryshme, ekzistojnë të gjitha provat se gjyqtarët në fjalë kanë marrë ryshfet nga sekserë dhe individë të ndryshëm. Provat janë filmimet dhe përgjimet e vetë individëve që kanë denoncuar, por nuk kanë munguar as verifikimet e prokurorëve. Kryeprokurorja Ina Rama, në një dalje publike do të deklaronte se imuniteti i gjyqtarëve po pengon hetimin ndaj tyre për akuzat ndaj korrupsionit. Menjëherë pas kësaj deklarate Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagoi menjëherë duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjeve të organit të akuzës për heqje imuniteti për çdo gjyqtar që është nën hetim për korrupsion.
Gjyqtarët
Fillimisht Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e imunitetit për gjyqtarin Qani Hasa, me detyrë gjyqtar në Elbasan, pasi ishte denoncuar nga një qytetar për marrje ryshfeti. Si provë për heqjen e imunitetit paraqiti një CD me përgjime dhe filmime. Sipas prokurorisë dhe përmbajtjes së CD-së, gjyqtari Hasa dyshohet se ka marrë ryshfet nga të njohurit e të burgosurit Geron Toska, i cili gjykohej për veprat penale të mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Shuma që ka kërkuar gjyqtari Hasa, sipas burimeve nga prokuroria, ka qenë tre milionë lekë (të vjetra). Pas heqjes së imunitetit, çështja po hetohet në Prokurorinë e Tiranës. Rasti i dytë për heqjen e imunitetit është për gjyqtaren e Krimeve të Rënda, Marsela Balili. Megjithëse po gjykonte një sërë çështjesh, ajo është pezulluar nga detyra. Prokuroria e Durrësit kishte materialet e dosjes, ku gjyqtarja, së bashku me bashkëshortin e saj prokuror, dyshohet se ka tentuar të marrë një ryshfet për uljen e dënimit për një të burgosur. KLD-ja tha se vendimi sjell lejimin për kryerjen e hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Durrës, e cila ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Rasti i fundit është ai i gjyqtarit të Rrethit gjyqësor Vlorë, Thoma Nika, i cili dyshohet se ka liruar nga burgu një zyrtar të arrestuar për korrupsion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›