E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca spanjolle e BE-së: Unioni, drejt zgjerimit

Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian e cilëson si thelbësore zgjerimin e unionit drejt vendeve të Ballkanit. Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Miguel Angel Moratinos, gjatë një komunikimi me mediat në Madrid u shpreh se pas zgjidhjes së problemeve institucionale me Traktatin e Lisbonës, mbetet jetike dhe e domosdoshme ecuria e zgjerimit të Unionit me pranimin e vendeve të tjera. “Pas miratimit të Marrëveshjes së Lisbonës, e cila ka zgjidhur problemet e shumta institucionale me të cilat ballafaqohej BE-ja, me rëndësi të veçantë është që të jepen porosi politike të dyerve të hapura”, - tha shefi i diplomacisë spanjolle, Moratinos, i cili ka shtuar se vëmendje do t`u kushtohet ish-republikave jugosllave. Moratinos tha se e rëndësishme për Bashkimin Evropian është që të hapë dyert për pranimin e anëtarëve të rinj, posaçërisht shteteve të Ballkanit. Spanja kryeson me Presidencën e BE-së që nga janari i këtij viti. Ministri i Jashtëm spanjoll theksoi në vijim se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në vëmendjen e axhendës së Presidencës së radhës të BE-së.
Ai gjithashtu përmendi edhe Islandën, e cila e paraqiti kandidaturën në korrik 2009 dhe mund të bëhet anëtare duke filluar që nga 2012-a, dhe Turqia, duke shpresuar se ajo do të vazhdojë të hapë kapitujt e pranimit, duke shtuar se për këtë vend procesi do të jetë i gjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›