E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, 1.5 milionë euro për restaurimin e pazarit të Korçës

16/06/2010 Projekti synon restaurimin e ambienteve të jashtme, rehabilitimin e infrastrukturës dhe të 120 dyqaneve

KORÇE- Për herë të parë në gjithë historinë e tij qindra vjeçare, në pazarin e Korçës, i cili ka qenë i vlerësuar si një nga monumentet më të mira të Ballkanit, do të nisë zbatimi i një projekti tejet madhor, më i rëndësishmi në gjithë jetën e tij historike. Tashmë pazari i Korçës ka fituar mbështetjen e qeverisë shqiptare, të Monumenteve të Kulturës për gjithë Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, delegacionit të tij në Tiranë. Lajmi për restaurimin e pazarit ka qenë prej kohësh një nga lajmet më të shumëpritura për gjithë banorët e këtij qyteti. Së fundi duket se gjithçka do të shndërrohet në një realitet; pazari i Korçës do të dalë nga harresa e tij absurde. Lajmi u konfirmua ditën e martë nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe nga përfaqësuesit e Institutit të Monumenteve, ku këta të fundit patën një takim me ekspertët e Bashkisë Korçë, me synimin se si mund të realizohet sa më mirë projekti madhor, i restaurimit, rikonstruksionit dhe kthimit në identitet të pazarit të Korçës, i cili pritet që shumë shpejt të hyjë në fazën e zbatimit

Projekti 1.5 milionë euro

Nga takimi i ditës së martë, mes përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, përfaqësuesve të MTKRS dhe Institutit të Monumenteve me ekspertët e Bashkisë Korçë, u mësua lajmi se nga Komisioni Evropian, për restaurimin e pazarit të Korçës do të vihet në dispozicion një fond prej më shumë se 1.5 milionë eurosh, i cili do të shënojë dhe fazën e parë të punimeve, pasi rikonstruksioni i plotë i pazarit do të vijojë deri në kthimin e tij në identitet, duke pasur në vijimësi edhe mbështetjen me fonde. Pazari i Korçës, ashtu siç ka qenë gjithnjë i vlerësuar si një nga monumentet më të mira të Ballkanit, me të njëjtat vlerësime u shprehën edhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, duke vënë në dukje faktin se ky projekt ishte dhe mbetet prioritar. Projekti në fjalë synon restaurimin e ambienteve të jashtme dhe të 120 dyqaneve, sjelljen në parametra bashkëkohorë të infrastrukturës, shmangien e tregtimit nëpër tezga ( siç ka qenë deri më sot), dhe që në të vërtetë përbënte një turp për Korçën, pasi rreth sheshit të pazarit ngriheshin jo pak, por 120 dyqane. Shitja nëpër tezga nuk lejonte as të shihje rrugicat me kalldrëm, as harqet prej guri, as ndërtesat karakteristike, as hanet dhe banesat me një arkitekturë të veçantë dhe asgjë tjetër. Që të gjitha këto do të eliminohen njëherë e përgjithmonë për ti hapur rrugë një qendre tejet të rëndësishme historike, kulturore dhe mbi të gjitha tregtare. Projekti synon gjithashtu të ndihmojë edhe në shërbimin e kulturuar që duhet të ofrojnë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë pazar.

Pazari i Korçës

Me restaurimin e pazarit mund të thuhet, pa asnjë mëdyshje, se Korça do të hyjë në një fazë të re të zhvillimit të saj; rikonstruksioni i pazarit do ta nxjerrë Korçën nga rutina e tij e përditshme, do ta shpëtojë nga vdekja e vlerave tradicionale kulturore dhe do ti japë asaj atë emër që ka pasur dikur, dhe që e kishte fituar nga pazari i Korçës dhe jo nga festa të tilla, të shpikura si festa e lakrorit. Për më tepër, ishte rëndësia e këtij projekti që solli përfaqësuesit e Këshillit të Evropës në Korçë dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme, me qëllim për të gjetur një bashkëpunim sa më të mirë, duke filluar që nga qeveria qendrore e duke zbritur deri te Bashkia e Korçës, sepse përmes këtij projekti synohet që pazari të kthehet në qendrën më të madhe vizitueshme të Korçës, si ftesa më e mirë ndaj vizitorëve dhe turistëve për të vizituar Korçën. Madje jo vetëm kaq, pazari do të jetë qendra më e rëndësishme tregtare e këtij qyteti, mundësia reale për rritjen e të ardhurave për tregtarët e Korçës. Ky projekt do të bëjë të mundur që tashmë e në vijim, lëvizjet, shëtitjet, të përqendrohen kryesisht në këtë zonë, çka do të thotë se do të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të këtij qyteti. Kjo do të kërkojë që dyqanet të jenë të hapura përgjatë gjithë natës, të ketë orkestra dhe sazexhinj në shërbim të klientëve, sepse pikërisht në këtë vend kanë lindur edhe serenatat që tashmë bëhen mjaft përpjekje për ti ringjallur, por që gjithnjë ka qenë e pamundur, pasi ato kërkojnë “vendlindjen” e tyre. Me ringjalljen e pazarit do të rilindin të gjitha vlerat kulturore tradicionale që tashmë janë venitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›