Presidenca suedeze: Zgjedhjet OK, por bëni dialog konstruktiv
Presidenca Suedeze e Bashkimit Europian ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve të qeta e paqësore të 28 qershorit në Shqipëri. Në deklaratën të publikuar në uebsite zyrtar, Presidenca uron qytetarët shqiptarë për këtë arritje, duke theksuar se nëpërmjet procesit elektoral votuesit kanë treguar lidhje të forta me vlerat demokratike. Në deklaratën e saj prej 6 pikash presidenca vlerëson progresin e arritur në regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit si dhe kuadrin ligjor të arritur në mënyrë konsensuale nga dy forcat e mëdha politike. Po kështu, presidenca suedeze shprehet se ka mbajtur shënim deklaratën e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e madhe që procesi numërimit të votave të mbyllet në mënyrë të rregullt, pasi nga kjo do të varet edhe vlerësimi përfundimtar. Nisur nga kjo, Bashkimi Europian inkurajon një dialog konstruktiv mes partive politike, sa i takon procesit të zgjedhjeve dhe formimit të një qeverie të re të përkushtuar në agjendën e reformave dhe progresit të mëtejshëm drejt Bashkimit Europian.