Sauk, vritet me thikë tregtari
Etleva Delia
Pronari i një pike grumbullimi hekuri në Tiranë, mbeti i vdekur dje pas disa goditjeve me thikë nga një 52-vjeçar. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 të mbrëmjes së djeshme, në Sauk, vetëm disa metra prapa godinës së Komunës së Farkës. Ylli Tafani, 58 vjeç, është qëlluar për vdekje me thikë nga i dyshuari Shaban Allaraj, në vendin ku grumbullohej hekuri. Sipas burimeve nga policia ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të momentit që ka pasur viktima me autorin. Tregtari Ylli Tafani, sipas policisë, kishte rrahur djalin 13-vjeçar të Shaban Allarajt, të cilin e kishte akuzuar se i kishte vjedhur hekur. Autori, i cili banonte vetëm disa metra larg vendit të ngjarjes, ka shkuar të sqarohet dhe në debat e sipër, biznesmeni Tafani e ka qëlluar me një shufër hekuri në kokë. Në këtë moment 52-vjeçari ka nxjerrë thikën, duke e goditur viktimën disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, deri sa e ka lënë të vdekur në vend. Policia është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes, duke rrethuar gjithë kodrat e Saukut dhe brenda 15 minutash ka arritur të arrestojë autorin. Ai u kap rreth një kilometër larg vendit të ngjarjes, pasi është zbuluar prej njollave të gjakut që ka lënë gjatë rrugës, nga plaga që pësoi në kokë.
VRASJA
Një e goditur me shpullë ndaj një djali 13-vjeçar, i ka kushtuar jetën tregtarit të hekurit Ylli Tafani. Konflikti me babain e djalit, të cilin përveçse e kishte rrahur, e kishte akuzuar edhe për vjedhje hekuri, ka qenë fatal për 58-vjeçarin nga Tirana. Tafani prej disa muajsh kishte ndërtuar një pikë grumbullimi hekuri, mbrapa godinës së Komunës së Farkës, në lagjen Sauk të Tiranës. Pasi blinte materiale nga fëmijët dhe adoleshentët që e mblidhnin në rrugë, i shiste më pas në fabrika të ndryshme për hekur. Mbrëmjen e djeshme ,kur ka qenë duke mbyllur vendin e tij të punës, ka takuar djalin e Shaban Allarajt, të cilit i kishte blerë hekur disa herë dhe e ka akuzuar për vjedhje e më pas e ka rrahur. Sipas burimeve nga policia, djali 13-vjeçar është ankuar më pas tek babai i tij, i cili ka shkuar që të sqarohet me tregtarin Tafani në lidhje me incidentin. Debati mes tyre është ashpërsuar brenda pak minutash dhe pas fyerjeve dhe kërcënimeve, Tafani e ka goditur me hekur në kokë 52-vjeçarin Allaraj. Kur ka parë veten të gjakosur, Allaraj ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar disa herë viktimën, derisa e ka lënë të vdekur. Më pas është larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, në mënyrë që t'i fshihej policisë. Plaga që kishte marrë në kokë ka bërë që të lërë gjurmë kudo që ka shkelur, duke i lehtësuar punën policisë. Gjatë arrestimit, rreth 15 minuta pasi kishte kryer vrasjen, ai nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Burime nga policia sqaruan se autorit i është dhënë ndihma e parë mjekësorë dhe më pas është marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Autori arrestohet gjatë arratisjes
Teksa tentonte t'i fshihej forcave të policisë pasa vrasjes së tregtarit Ylli Tafani, i dyshuari si autor i ngjarjes nuk ka mundur të largohet më shumë se një kilometër, duke u arrestuar nga policia. Ndërhyrja në kohë e forcave të policisë, nga Komisariati Nr.1 dhe nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, ka bërë kapjen dhe arrestimin e Shaban Allarajt në brendësi të lagjes së Saukut, duke tentuar të arratisej.