"Doda" rrahu në polici vrasësin
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Prokuroria e Elbasanit ka zbardhur rolet e secilit prej katër të arrestuarve në vrasjen e ish-agjentit të antidrogës, Roland Rexhepi. Gjithashtu edhe motivin për të cilin dyshohet se është vrarë viktima, e cila sipas burimeve ka lidhje me detyrën e tij si ish-agjent i antidrogës. Të njëjtat burime bënë të ditur se i dyshuari kryesor për vrasjen e "Dodës", i cili njihej në qytet si ish-truproja i Edmond Kosenit, është 33 - vjeçari Armand Llakaj. Ndërsa tre personat e tjerë në vrasjen e Rexhepit kanë bashkëpunuar që autori i vrasjes të fshihte gjurmët. Pas krimit, Llakaj është ndihmuar nga ana e 28-vjeçarit Arben Jace, për t'u larguar në vendi i ngjarjes. Ndërsa ndaj dy shtetasve të arrestuar mbrëmjen e së martës, Shkëlzen Shkrepi dhe Marjus Tafa prokuroria ka siguruar prova për t'i akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Mësohet se ata kanë pasur kontakte telefonike të vazhdueshme me autorin e dyshuar. Ky i fundit në sajë të përgjimeve të kryera, iu kërkonte bashkëpunëtorëve të tij të ruanin "kodin", ose e përkthyer në gjuhën e prokurorëve, të mos hapnin gojë për krimin. Gjithashtu grupi i hetimit ka marrë edhe përgjigjet e fijeve të flokut, të cilat janë gjetur në maskat që kanë përdorur autorët Llakaj dhe Jace. Sipas përgjigjeve të ADN-së, që janë kryer në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë, rezulton se maskat e gjetura pak metra larg vendit të ngjarjes janë përdorur pikërisht nga ata. Pas hetimeve të kryera, pista në të cilën po hetohet duket se po merr tjetër rrjedhë. Fillimisht u dyshua se autorët e arrestuar ishin vrarës me pagesë, por tashmë ky dyshim është rrëzuar. Dyshohet se motivi që mund ta ketë shtyrë 33- vjeçarin Llakaj të vrasë 42- vjeçarin Rexhepi, më 22 korrik, mund të ketë lidhje me detyrën e viktimës si ish- punonjës i policisë. Hetimet kanë evidentuar faktin se autori i dyshuar, Llakaj, është shoqëruar disa herë më parë në polici pasi ai kishte probleme me drogën. Personi që e ka shoqëruar disa herë Llakaj në polici ka qenë pikërisht viktima, Roland Rexhepi. Por gjatë shoqërimit ndaj 33 - vjeçarit ishte ushtruar disa herë dhunë e rëndë, çka dyshohet se mund të jetë motivi.
Shkrepi e Tafa nuk pranojnë akuzën
Shkëlzen Shkrepi dhe Marjus Tafa, të arrestuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Roland Rexhepit, pritet të dalin sot në gjykatë për marrjen e masës së sigurisë. Sipas burimeve, ndonëse janë ballafaquar me disa prova shkencore që i implikojnë ata në ngjarje, sërish dy të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën. Ngjarja e ndodhur më 22 korrik në Elbasan e çoi mbrëmjen e së martës në katër numrin e të arrestuarve.