E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i shkëmbinjve, mblidhet emergjenca

 

BERAT -  Kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, lëshoi dje alarmin që qyteti 2400-vjeçar rrezikohet nga fatkeqësitë natyrore. Duke iu referuar edhe ngjarjes së ditëve të fundit, ku një masiv shkëmbi ra në zonë të banuar, Nasufi i ka konsideruar këto dukuri si një "minë me sahat". Deklarata e kryebashkiakut është bërë në mbledhjen e organizuar në shtabin e emergjencës civile në lidhje me situatën në Mangalem. Specialistët kanë lëshuar alarmin pas inspektimeve të kryera se zona shkëmbore mbi këtë lagje ka nisur të rrëshqasë. Pasi ra një gur i stërmadh, duke dëmtuar edhe disa banesa, ekspertët konstatuan se janë gati në të rënë edhe tre masivë të tjerë. Disa prej banorëve janë evakuuar, por ende nuk dihet sa do të zgjasë arratia e tyre. Në rast se nuk ndërhyhet sa më shpejt, ata nuk mund të rrinë për shumë kohë nëpër shtëpitë e të afërmve të tyre nëpër qytet. Masivi shkëmbor që qëndron si ballkon i lagjes muzeale ka dhënë shenjat e para të rrëshqitjes. Banorët kërkojnë ndihmë nga qeveria për ndërhyrje për të evituar ndonjë tragjedi të mundshme. "Ne si bashki jemi të pafuqishëm përballë kësaj situate të rënduar që është krijuar. Masivët shkëmbore tashmë pas disa qindra vjetësh kanë pësuar një ndryshim, si nga tronditja e kamionëve me tonazh të madh edhe nga vetë faktorët natyrore që prej vitesh kanë vepruar mbi ta" u shpreh kryebashkiaku Nasufi. Sipas tij, për parandalimin e këtyre faktorëve duhen investime të mëdha. Pas diskutimeve për rrezikun e shkëmbinjve, në mbledhje janë diskutuar edhe disa faktorë të tjerë që rrezikojnë qytetin. Një problem, i cili është evidentuar edhe herë të tjera ka të bëjë me mosfunksionimin e hidrantëve kundër zjarrit në lagjet muzeale. Gjithashtu edhe shtrati i lumit Osum, i cili ka ardhur duke u ngushtuar së tepërmi duke rrezikuar përmbytjen e qytetit.                                                   d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›