E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidencialet, Romnej drejt nominimit

Mit Romney

Mit Romnej ka më shumë gjasa të jetë personi që do të kandidojë kundër Presidentit Barak Obama në nëntor të këtij viti në SHBA. Ai ka fituar 86 delegatë në garën për kandidaturën republikane në Merilend, Uiskonsin e Distriktin e Kolumbisë, duke qëndruar sërish në krye. Romnej ka fituar të gjithë delegatët në Merilend, 37 delegatë, dhe të 16 delegatët në Distriktin e Kolumbisë. Ai ka marrë edhe 33 delegatë në Uiskonsin, ku rivali i tij kryesor, Rik Santorum, ka fituar nëntë delegatët e mbetur. Deri tani nga votimet shtet më shtet, Romnej ka siguruar 658 delegatë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë sigurimit të 1144 delegatëve që i duhen për të fituar automatikisht emërimin si kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale, që do të vendoset në konventën e republikanëve në Tampa, në gusht. Ndërsa rivali kryesor i Romnejt, Santorum, ka 281 delegatë. Atij do ti duhen 80 për qind e delegatëve që kanë mbetur për të fituar nominimin përpara konventës. Analistët e kanë konsideruar këtë një mision të pamundur, pasi pjesa më e madhe e shteteve i vlerësojnë kandidatët me sistemin proporcional.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›