Presidencialet, Mitt Romni arrin fitore bindëse
Ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, është shpallur fitues në votimet e mbajtura në pesë shtete amerikane për nominimin e tij si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor, për t’u ballafaquar me presidentin Barak Obama.
Romni arriti fitore në Konektikat, Delaver, Nju Jork, Pensilvani dhe Rod Ajlend.
Konsiderohet se me këtë triumf, mbrëmë vonë, ai pothuajse praktikisht e ka siguruar nominimin.
Pas 43 votimeve paraprake, shumë ditë dhe jo pak netë të gjata, mund të them me besim dhe mirënjohje, se ju më keni dhënë nder të madh dhe përgjegjësi serioze. Së bashku me ju ne do të fitojmë me gjashtë nëntor, u tha Mit Romni mbështetësve të tij në Nju Hempshir.
Mendohet se Romni efektivisht e ka fituar këtë garë, në momentin kur rivali i tij kryesor, Rik Santorum, u tërhoq nga gara më 10 prill.
Në garë tash, pos Romnit, kanë mbetur edhe Njut Gingriç dhe Ron Pol, të cilët tashmë, është krejtësisht e qartë, kanë shumë pak gjasë për sukses.