Afrim Koçi: Përkthyesit, të pavlerësuar e të papaguar

Afrim Koçi
Ditën Ndërkombëtare të Librit, Biblioteka Kombëtare vendosi ta kujtojë me një aktivitet të veçantë. Me një aktivitet kushtuar njërit prej përkthyesve më prodhimtarë shqiptarë, Afrim Koçi. Përkthyes i Gëtes, Tomas Manit, Lev Tolstoit, Elfride Jelinekut, kujtimeve të Eqerem bej Vlorës, Prosper Merimesë, e shumë e shumë të tjerëve… Plot 40 vjet jetë kushtuar përkthimit. Në aktivitet mori pjesë edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Ishin përkthyesit e njohur Shpëtim Çuçka e Pirro Misha, të cilët thanë fjalët më të mira për kolegun e tyre, i cili ka përballuar jo pak sfida letrare gjatë jetës së vet. Në një intervistë, Koçi tregon për vështirësitë e përkthimit dhe të përkthyesit.
Çdo të thotë ti kushtosh 40 vjet përkthimit?
Është një jetë me shumë punë, e shmangur nga normaliteti, sepse përkthimi është edhe profesion, edhe art. Është një punë e vështirë, por jo shumë e vlerësuar. Përkthimi është si puna e drogës, po e nise është e vështirë të shkëputesh…
Si lindi tek ju dëshira për të përkthyer?
Shtëpia jonë ka qenë një shtëpi librash. Kemi lexuar shumë, fillimisht romanet e verdha. Pra, shtysa ka qenë në shtëpi, por ka qenë edhe prirja për gjuhët e huaja. Motrat e mia studiuan rusisht. Ishte koha e rusishtes, por përmes saj mësuam edhe gjuhët e tjera. Nuk mund ta mohoj edhe një prirje letrare. Pa ishin këto faktorë që më shtynë tek përkthimi.
Duket sikur ka një ndarje mes letërsisë së përkthyer para viteve 90 dhe pas saj…
Ajo është ndarja klasike që i bëhet jetës së shqiptarëve, para dhe pas 90-s. Por në të vërtetë nuk ka asnjë ndarje, është vazhdimësi. Asgjë nuk krijohet në boshllëk.
Çi dallonte të dyja?
Epokën e komunizmit e dallonte ideologjizimi, pengesa në përkthimin e shumë librave, por dallonte edhe nga serioziteti. Atëherë botimet ishin shumë serioze. Sot ka liri, por nuk ka shumë profesionalizëm në shumicën e përkthimeve.
Dikur i jeni kushtuar më shumë letërsisë për fëmijë, përse?
Ka qenë edhe kërkesa e botuesve, por letërsia për fëmijë është shumë e brishtë dhe nuk ka njeri që të mos e pëlqejë. As unë nuk bëj përjashtim.
Ku çalon përkthimi sot?
Së pari, njerëzit nuk përkthejnë për pasion, por për jetesë. Së dyti nuk paguhet sa duhet. Është e nënpaguar. Së treti nuk ka kritika dhe vlerësime të punëve të veçanta, për të nxjerrë të metat dhe të veçantat e punës së secilit. Secili mund të nxjerrë një libër në treg dhe mjaftojnë ca para për ta promovuar dhe del ai si libri më i mirë. Nuk ka klasifikim vlerash.
Ju thatë se përkthyesit janë harruar, çdo të thotë kjo?
Të harruar, sepse nuk shihet asnjë mundësi për ti ndihmuar. Gjithçka u është lënë në dorë botuesve, të cilët mes shumë njerëzve që ofrohen për të përkthyer, zgjedhin një përkthyes që e paguajnë më pak, sepse është më pak i përgatitur. Por kryesorja është që nuk ka mekanizma për të përkthyer, sepse mekanizmi nxjerr në pah edhe vlerat e vërteta dhe rriten më shumë kërkesat ndaj këtyre vlerave.
Cila është vepra apo autori që ju ka nxjerrë më shumë vështirësi?
Sfida më e madhe ka qenë Mali magjik dhe Jelinek. Kjo e fundit më së shumti për gjuhën, ndërsa Mali magjik për idetë, kuptimet. Është një libër filozofik që duhet ta zbërthesh.
Përkthimi i Malit magjik ka qenë ëndrra ime e vjetër. Jo vetëm për shkak të njohurive të mia mbi letërsinë gjermanike, por dhe sepse është një nga veprat më të njohura në të gjithë botën dhe doja shumë ta përktheja. Gjatë viteve të diktaturës kam pasur pengesa, pasi një vepër e tillë nuk mund të përkthehej. Por edhe sot nuk ka qenë e thjeshtë derisa u gjet botuesi, pasi ishte një investim i madh financiar dhe nuk ofrohej çdo njeri.
Çkujtoni nga puna nën diktaturë?
Asokohe kemi përkthyer shumë, por për shkak të kornizës ideologjike, shumë vepra kanë mbetur në dorëshkrim. Por e tillë ishte koha. Ishte haraçi i kohës.