E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidencialet në Rusi, fiton Putin

Vladimir Putin ka fituar mandatin e tretë në krye të presidencës ruse, raportojnë agjencitë botërore. Shefi i ri i Kremlinit sipas exit polleve të para ka marrë 61.8 për qind të votave.

Pas tij renditet lideri komunist Genadij Zjuganov me rreth 17.7 për qind të votave, Mikhail Prokhorov, renditet i treti me 9,2% , ndërsa lideri ultranazionalist Vladimir Zhirinovski renditet i katërti me 8.1 % të votave.

Pas mbylljes së qendrave të votimit në enklavën perëndimore ruse të Kaliningradit, kanë vërshuar ankesat e opozitës, sipas të cilave edhe në këto zgjedhje pati manipulime, pavarësisht se në të gjitha qendrat e votimit ishin instaluar kamera vrojtimi.

Zgjedhjet presidenciale të 4 marsit u monitoruan nga 300 mijë vëzhgues vendorë dhe 700 të tjerë nga organizma dhe institucione perëndimore.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rusi, pjesëmarrja në votime ishte e lartë, ku sipas të dhënave hodhën votën rreth 63. 37 % e rreth 109.3 milionë rusëve me të drejtë vote të thirrur në votime, ndërkohë që në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës votuan 69.7 % e zgjedhësve.

Pas mbylljes së votimeve, BBC raporton se në qendër të Moskës në këto momente janë mbledhur mbi 100 mijë përkrahës të Vladimir Putin për të festuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.

Për Vladimir Putin ky do të jetë mandati i 3-të i tij si shef i Kremlinit, detyrë të cilën ai formalisht do ta marrë më 8 maj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›