E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te gjitha pyetjet që pjell katastrofa “Gërdec”

Fshati Gërdec ishte stacioni tjetër i tragjedisë së radhës që godet vendin tonë. Bilanc tragjik: dhjetëra njerëz humbasin jetën, qindra të plagosur, dëme të jashtëzakonshme materiale. Mijëra njerëz të tronditur, shtëpi të shkatërruara e të braktisura, qytete dhe komuna që kthehen brenda pak minutash në vende fantazmë. Më keq se kaq nuk ka. Por, nga ana tjetër, tragjedia e Gërdecit nuk duhet të na veshë sytë për të drejtuar gishtin tek ata mbi të cilët rëndon përgjegjësia e përsëritjeve kronike të tragjedive të tilla. Këto tragjedi kanë vetëm një emër: papërgjegjshmëri qeverisëse. Mbi drejtuesit kryesorë të shtetit, të cilët kanë marrë përsipër të qeverisin këtë vend, rëndojnë një seri pyetjesh, të cilave ata duhet t’u japin përgjigje përpara qytetarëve. Përse qeveria nuk merr asnjë masë për të evakuuar paraprakisht zonat ku bëhet asgjësimi i municioneve? Përse qeveria mbyll sytë kur pranë depove me municion bëhen qindra ndërtime të paligjshme shtëpish, biznesesh etj., të cilat janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të mëdha? Sa profesionale janë kompanitë që ajo përzgjedh për të asgjësuar municionet? Ndonëse tragjedi të tilla, në një hark të shkurtër kohor, kanë ndodhur edhe më parë në vendin tonë, si ka mundësi që ato vijojnë të përsëriten dhe nuk është nxjerrë asnjë mësim? Ka shumë pyetje, të cilat në thelb përbëjnë akuza të drejtpërdrejta mbi qeverinë dhe qeverisjen. Tragjedia e Gërdecit, as më shumë dhe as më pak, është pasqyra në të cilën shohim qartazi mungesën e plotë të një qeverisjeje të përgjegjshme, por jo vetëm të kësaj aktuale... Shohim një stil qeverisjeje, e cila përmbyt opinionin publik me retorika politike për NATO-n, integrimin, por që nuk arrin të marrë masa që parandalojnë të tilla tragjedi. Si pasojë e kësaj kalojmë nga tragjedia në tragjedi. Kemi vetëm një qeverisje, e cila për orë të tëra struket dhe nuk arrin të informojë për asgjë qytetarët. Aksidentet tragjike ndodhin. Por kur ato bëhen “rrugë”, nuk janë më aksidente. Tragjedia e Gërdecit është një aktakuzë ndaj qeveritarëve dhe një stil qeverisjeje prej 17 vitesh, e cila mbështetet në retorika boshe dhe nga mania e qeveritarëve për të dalë nëpër televizione edhe për aktivitetet më të rëndomta. E gjitha kjo ka vetëm një emër: papërgjegjshmëri qeverisëse. Tragjedia e Gërdecit e ka vënë stilin e qeverisjeve së këtij vendi në bankën e të akuzuarve. Është momenti t’i shohim gjërat në sy dhe të vendosim gishtin mbi plagë, pasi nëse vijohet të ecet më tej me këto stile qeverisjeje, atëherë asgjësimi i municioneve, dhe jo vetëm asgjësimi i tyre, rrezikon të na “asgjësojë” të gjithëve.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›