E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Berisha: Do merrem me çështjen pas samitit të Çikagos

TIRANE -  “Me çështjen e presidentit të ri do të merrem pas samitit të Çikagos.”- kështu deklaroi sot kryeministri Berisha në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave. Sipas kësaj deklarate, procesi i zgjedhjes së kandidatëve zyrtarë për president do të nisë pas 22 majit, kur përfundon samiti i NATO-s në Çikago.

“Nuk ka ëndërr më të bukur se ëndrra presidenciale. Por, unë e kam thënë që do merrem pasi të kthehem nga samiti i Çikagos dhe e kam shpjeguar si do procedohet”, -u shpreh kryeministri.

Berisha: Italia mbështetje Shqipërisë në të gjitha fushat
Në mbledhjen e radhës të qeverisë, kryeministri Berisha i kushtoi një rëndësi të veçantë vizitës së tij në Itali dhe takimeve me autoritetet më të larta të shtetit fqinj. Kryeministri theksoi se në Itali mori mbështetjen e presidentit Napolitano, kryeministrit Monti dhe kryetarit të Kuvendit Fini për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Shefi i qeverisë nënvizoi se në takimet e zhvilluara në Romë gjeti rastin për të shprehur mirënjohje për mbështetjen që Italia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë.

“Takimi me presidentin ishte një rast i shkëlqyer jo vetëm për të shprehur mirënjohje për mbështetjen që ky vend i ka dhënë Shqipërisë, por për ta ftuar presidentin për një vizitë zyrtare në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Edhe takimi me kryeministrin Montin ishte një rast për të shprehur mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve.”- u shpreh kryeministri.

Kryeministri Berisha bëri të ditur se në takimin me homologun Monti u diskutua në lidhje me rrugët dhe mënyrat e nxitjes së sipërmarrjeve italiane për të investuar në Shqipëri.

Ndër të tjera, Berisha njoftoi se qeveria italiane ofroi një ndihmë prej 52 milionë euro për Shqipërinë, në kuadër të Kooperacionit dhe Partneritetit Strategjik mes dy qeverive.

Duke u rikthyer sërish në axhendën e takimeve me autoritetet italiane, kryeministri deklaroi se Italia është e interesuar që vendi ynë të arrijë progres në marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE.

“Perspektiva europiane e Shqipërisë është perspektiva më e shkëlqyer e saj. Sigurisht Shqipëria duhet të realizojë reformat për ta arritur atë. Progresi i mëtejshëm me reformat është i nevojshëm, në mënyrë që qeveria dhe autoritetet e larta të vendit të mund të bëjnë avokatinë që duhet të bëjnë për marrjen e statusit kandidat.”- theksoi Berisha.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Presidenti, Fatos Nano takohet nesër me kryeministrin Berisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›