E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Berisha-Ruçit: Çfarë ju ka bërë Fatos Nano?

Kryetarja e Kuvendit, në hapje të seancës njoftoi deputetët për mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve, i cili  në raportin e depozituar në séancë, nuk formalizoi asnjë kandidat për President të Republikës. 

Më pas, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se mazhoranca humbi një shans të madh për vendin, teksa akuzoi direkt kryeministrin Sali Berisha si shkaktar të mungesës së dialogut me opozitës për të arritur konsensus për zgjedhjen e Presidentit.

“Ky dështim nuk është dështimi ynë, as dështimi i këtij Parlamenti, ky dështim në gjykimin tonë si opozitar, ka një emër të përveçëm, personalisht tuajin z. Berisha. Themi personalisht pasi nuk pranuat të punonit për të arritur në një zgjidhje konsensuale. Kur them se nuk është dështimi i klasës politike e them këtë se opozita prej më shumë se 1 muajsh, e deri tek tavolina e fundit iu kërkoi konsensus. Kur them se është një dështim personal i juaji z. Berisha, e them këtë se e ndaj juve nga deputetët e nderuar të mazhorancës, pasi unë e di se ka mes tyre që e dëshirojnë dhe e besojnë se duhesh një proces dhe konsensus, ku veçse progres do të kishte Shqipëria, veçse një hap e ndante Shqipërinë nga ngadalësia e munguar për të tretën herë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, theksoi Ruçi.

Ai shtoi se kryeministri nuk bëri asnjë përpjekje për të zbatuar frymën e Kushtetutës, duke shtuar se nga procesi konsensual, vendi do të kishte më shumë qetësi dhe garanci. “Kjo mungesë aftësie, nuk ngelet vetëm këtu, por keni edhe mungesë të aftësisë tek ndërkombëtarët, ku Parlamenti bëhet dëshmitar i raundit të tretë. Të kanë kërkuar një proces të gjithëpranuar, veçanërisht me opozitën. Kryetari i PS-së, 40 para të ka ftuar, por edhe tre ditë para, isha dëshmitar që në tryezën ku ju u ulët të bëri një ofertë, oferta ishte maksimaliste. Ajo nuk ishte një Pazar emrash, por një qasje për të ardhmen e vendit. Oferta nuk ishte partiake dhe personale, por serioze dhe institucionale. Oferta e parë ishte konsensusi presidencial, jo për t’i dhënë ju konsensus opozitës, por opozita ju. Sigurisht pa edituar emra dhe një zgjidhje, por ju kërkoi në tavolinë që minimalisht ato që u parashtrua të dilte dakordësia dhe vullneti politik për të zgjedhur Presidentin. Oferta e dytë ishte konsensusi për reformën zgjedhore, jo sipas dëshirës subjektive, po ashtu sikurse i kërkonte raporti i ODIHR-it. Oferta e tretë ishte reforma parlamentare, oferta e katërt ishte formula e kufizimit të imunitetit. Oferta e pestë ishte që bashkërisht që Presidenti dhe reformat të mbylleshin brenda muajit qershor”, shtoi ai.

Ruçi sqaroi më tej se në tryezë, Rama kishte deklaruar se pasi të mbylleshin reformat, Rama i kishte kërkuar Berishës që të shkonin së bashku në Bruksel për të kërkuar statusin e vendit kandidat. “Oferta tjetër ishte që pasi të mbylleshin këto, të shkonit bashkërisht në Bruksel dhe të kërkonit statusin kandidat. Kjo ishte oferta që bëri në tavolinë z. Kryeministër.  Pavarësisht se jemi këtu, ne si opozitës vazhdojmë të shpresojmë dhe t’u ofrojmë. Këtu do të jemi edhe në raundin e katërt. Asnjëherë nuk është vonë për të korrigjuar, për t’i thirrur koshiencës sonë politike për interesa të vendit, afatshkurtra për vjeshtën dhe afatmesme për zgjedhjet e pritshme të 2013-s. Ky është angazhimi jonë”, vijoi.

Berisha: Sillni kandidat

Më pas fjalën e ka marrë kryeministri Sali Berisha, i cili i kujtoi opozitës editorialin e Edi Ramës për rrëzimin e qeverisë. “Duke ndjekur editorialin e parafolësit që lexoi këtu, mund të them se dogma dhe mashtrimi janë shinat me të cilat lëviz opozita dhe mbetet e gozhduar në to. Katër javë më parë, kryetari i PS-së, z, Edi Rama, nëpërmjet tre zëdhënësve të tij, akuzoi Sali Berishën se po i bllokon reformat me zgjedhjen e Presidentin. Këtë e ka në memorie çdo shqiptare i kujtdo partive qoftë ai. Koha eci...Në përputhje me deklaratat e mëparshme se Partia Demokratike do të angazhohet në këtë proces me afatin kushtetues, në përputhje me marrëveshjen e 2 shtatorit 2009 me LSI-në, e cila siguron se Presidenti do të zgjidhet me konsensusin e dy partive, ne nisëm procesin për zgjedhjen e Presidentit duke mos shqipëruar qoftë edhe një emër të vetëm, por thjeshtë për të përcaktuar fushat dhe rrugën që do të ndiqnim. Për PD-në, marrëveshja e vulosur dhe e firmosur me LSI-në është detyrim që çdo hap të bëhet në ujdi me këtë forcë politike”, tha Berisha.

Ai shtoi se opozita i ka bërë letra publike kërcënuese mazhorancën. “Nga vitet 60 një letër famëkeqe e Enver Hoxhës vendosi në terror një komb të tërë, për mua kanë një shije të keqe. Aspak në përgjigje të letrës së hapur të kryetarit tuaj, por para se të gjithash për të respektuar raundet dhe që koalicioni qeverisës nuk i ka ato vota, ne kërkuam takim me ju. Në këtë takim nuk ishte Sali Berisha që shkroi editorialin për rrëzimin e qeverisë. Partia Demokratike erdhi drejt jush për të diskutuar ato që kishte rënë dakord koalicioni qeveritar. Në vend të një tryeze ku do të diskutohej për modalitetet, ne morëm ultimatumin, kërcënimin, përmbysjen. Këto nuk më impresionuan fare. Absolutisht i konsiderova si veprime sovrane të opozitës. Në takimin e dytë, unë nuk mundem dhe nuk do të mundem të nxjerrë emra në tavolinë pa rënë dakord me aleatin kryesor në qeverisje. Nuk është faji im se ju keni filtrat e Tomës. Ju jap fjalën që katër minuta më vonë pa e marr vesh as kryetarja e Parlamentit e ka marrë vesh kryetari i partisë suaj. Kjo është ora e së vërtetës”, shtoi.

Kryeministri tha se u kishte kërkuar bashkëpunëtorëve dhe aleatëve që mazhoranca të mos ketë kandidatë politikë, pasi sipas tij, opozita me të drejtë nuk do ta votonte.  “Unë u kam deklaruar aleatëve dhe bashkëpunëtorëve të mi se nuk mund të shkojmë me një kandidaturë partiake, pasi opozita me të drejtë nuk do ta votonte. Ne shkuam me një kandidaturë që në vitin 2003, ju e keni votuar. Këtu është votuar nga të dy krahët dhe rezulton që ministri juaj i Drejtësisë e kishte zgjedhur në këshillin juridik të ministrisë. Ju e përzgjodhët vetë atë për cilësitë e tij. Z. Ruçi, meqë e interpretove takimin bën mirë ta lexosh editorialin. Ai thotë se ka votuar kundër opozitës në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë gjykatë kjo qeveri ka pasur tre ligjet më politike të saj, ligji i lustracionit, detit dhe..... absolutisht ai ka votuar kundër qeverisë. Ju keni prirje të besoni mashtrimet e njëri tjetrit. Gjykatësin, një njeri i qytetëruar nuk e gjykon për vendimet që ka dhënë, por për integritetin e tij”, u shpreh kryeministri.

Gjatë fjalës nuk kanë munguar edhe batutat dhe akuzat me opozitën, teksa i kërkoi opozitës që të paraqiste kandidatin e saj. “Paraqisni kandidat në këto fusha dhe unë do ta vlerësoj në mënyrë serioze dhe absolutisht do ta votoj.  Ku flenë lepuri? Lepuri flenë tek Fatos Nano. Si ka mundësi që ju s’mund të nxirrni një kandidat. Unë iu thashë që në fillim se ai është lideri i së majtës dhe ne nuk do ta votojmë. Ju keni problem madhor, e keni ende nëpër korridore kultin e armikut. Çfarë ju ka bërë ju Fatos Nano? Ju që iu majti 8 vjet në pushtet çfarë kërkoni më shumë prej tij. Kush ua solli ju Fatos Nanon? Të propozoni  një kandidat më me vlera se kandidati dhe ne do ta votojmë. Përndryshe, ju jeni rilindja e bllokut. Më mirë dilni prej tij dhe vazhdojmë procesin. Ai ka vetëm një qëllim madhor, bllokimin e statusit”, vijoi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-06-08 11:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›