Presidenti, Berisha: Sipas Kushtetutës, jo me politikë të pengut
Kryeministri Berisha i ka prerë rrugën opozitës për një president konsensual ashtu siç kishte artikuluar më herët edhe kreu i saj Edi Rama. Duke folur në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, kryeministri Berisha theksoi se zgjedhja e kreut të shtetit do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo përpjekje për të kushtëzuar Shqipërisë dëshira sublementare do të dështojnë.
“Ky është viti i zgjidhjes së presidentit që do të zhvillohet kryekëput në përputhje me Kushtetutën por çdo përpjekje për t`i kuroëzuar Shqipërisë dëshira sublementare në raport me kushtetutën do pësojnë dështime që kanë pësuar më herët. Urojmë që të bëjmë përpjekje të mëdha për ti dhënë vendit një president në lartësinë e detyrave dhe me integritet” ka theksuar Berisha.
Gjithashtu shefi i qeverisë i bëri thirrje opozitës t`i përmbahet marrëveshjes së arritur mes dy palëve për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 dhe ndryshimet për reformën zgjedhore. “Ta shndërrojmë këtë vit në një vit suksesi. Garantoj opozitën se ne jemi të vendosur që t`i qëndrojmë marrëveshjeve të arritura pikë për pikë sikundër asgjë s`mund të marrë peng ecurinë e këtij vendi. Politika e pengut zgjati por dështoi. Një vend i lirë me besim tek liria, demokracia dhe kushtetuta e vendit nuk mund të merret peng. Ne i qëndrojmë dhe jemi të vendosur për një bashkëpunimi të hapur sikundër jemi të vendosur për të zbatuar kushtetutën ka theksuar Berisha.
Ndërsa e ka cilësuar viti 2012 si vitin jubilar të kombit tonë, shefi iqeverisë theksoi se ky vit duhet të shndërrohet në vitin e vizionit dhe të një fillimi të ri. “Ne e nisim këtë vit jubilar të 100-vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë më të qartë, më të vendosur, më optimist, më të sigurtë ndonjëehrë në histori. Unë dëshiroj t`i siguroj qytetarët që do bëjmë gjithçka për ta kthyer këtë vit në vitin e merituar të Shqipërisë. Për të nxjerr në pah të vërtetat e mëdha kombëtare të më shumë se 100 vitet e fundit dhe një përpjekje të madhe për një vështrim më të qytetëruar të gjitha zhvillimeve të këtij vendi. Në një përpjekje të madhe për ta shndëruar këtë vit në një stacion të ri të madh për vizionin e 100-vjetëve të ardhshëm të Shqipërisë” ka shtuar Berisha.
Sipas kryeministrit ky vit duhet të jetë viti në të cilin qytetarët duhet të ndihen më krenar se kurrë duke vlerësuar më shumë se kurrë historinë e tyre. “Të gjithë shqiptarët duhet të ndihen krenar me ato që kanë realizuar ata vetë dhe paraardhësit e tyre. Të ndihen krenar me vizionin që mbështesin dhe të ardhmen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” ka shtuar Berisha.
Kreu i qeverisë e vuri theksin tek të vërtetat historike të shqiptarëve. Duke dënuar krimet e bëra gjatë viteve të komunizmit, Berisha tha se shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim, duke shtuar se, të vërtetat duhen thënë në mënyrë të qytetëruar.