Fondi i Ekselencës, Berisha: Brenda 2013-ës 300 përfitues
Kryeministri Berisha ka ripërsëritur sot se nuk do të ketë kufizime në numër për përfituesit e Fondit të Ekselencës. Ndërsa mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së Fondit të Ekselencës për 67 studentët shqiptarë, të cilat janë pranuar të studiojnë në nivele të ndryshme akademike në disa prej universiteteve më të mira të botës, kryeministri Berisha theksoi se brenda 2013 përfituesit e këtij fondi do të kapin shifrën prej 300 personave.
Pasi i ka përshëndetur fituesit e këtij Fondi, Kryeministri Berisha u shpreh se përgatitja dhe mbështetja e studentëve është një nga përparësitë më madhore të qeverisë, duke u garantuar atyre se qeveria do të bëjë çdo gjë për të mbështetur krijimin e një elite pasi sipas tij një Shqipëri e zhvilluar është vetëm ajo e bazuar në dije.
“Ne sot kemi rreth 67 kandidatë të cilët kanë përfituar nga fondi i ekselencës dhe në total brenda 2013 do të ketë 300 përfitues. Ky është një hap i mirë përpara por unë iu bëj thirrje të gjejmë të gjitha rrugët dhe mekanizmat për ta shumëfishuar këtë kontigjent. Unë iu garantoj që i vetmi fond që është pa limit është ky fond. Ne do të mbështesim çdo kandidat që aplikon në 15 universitet më të mira të botës” ka theksuar Berisha.
Gjithashtu shefi i qeverisë ka shtuar se një arritje e madhe është edhe rritja e numrit të studentëve që këtë vit kap shifrën 49 studentë për 1 mijë banorë. “Kjo është një arritje epokale, historike por jetike mbetet cilësia në shkollat tona të larta. Duhet të bëjmë çdo investim që në mënyrë të vazhdueshme të rrisim cilësinë e mësimdhënies dhe të inkurajojmë kërkimin shkencor si kusht për të përmbushur misionin tonë” ka shtuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha ka shtuar se të gjithë studentët shqiptarë, kudo që ndodhen në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë mund të konkurojnë në bazë të kritereve për të përfituar nga fondi i ekselencës.