Presidenti Bujar Nishani mik i SHBA-se
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker uron presidentin e zgjedhur Bujar Nishani për detyrën e re dhe e cilëson atë një mik të SHBA-së. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit thotë se një nga përgjegjësitë e rëndësishme të Presidentit të ri në Shqipëri, është ruajtja e pavarësisë së institucioneve të tjera të vendit, siç janë shërbimet e zbulimit apo prokururia e përgjithshme.
“Më lejoni të uroj presidentin e ardhshëm, Bujar Nishani për zgjedhjen në këtë post. Ai është një mik i Shteteve të Bashkuara. Ne, përmes ambasadës sonë, kemi punuar nga afër me të, kemi patur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi kur ishte ministër i Drejtësisë dhe më parë i Brendshëm. Ky bashkëpunim shpresojmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në postin e tij të ri, të rëndësishëm. Presidenca ka përgjegjësi të rëndësishme, siç është mbrojtja e pavarësisë së institucioneve në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimi i zbulimit, apo prokuroria e përgjithshme, institucione që bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kryerja e kësaj detyre është e rëndësishme për presidentin dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që ai të punojë nga afër me komunitetin ndërkombëtar, në një kohë që ne mbështesim Shqipërinë për të ardhmen e saj Euro-Atlantike dhe synimet e saj të integrimit të plotë në familjen euro-atlantike”, vlerësoi Reeker, gjatë intervistës së tij.
Po kështu, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Filip Reeker theksoi më tej se pas zgjedhjes së Presidentit të ri, politikanët shqiptarë duhet t’i rikthehen plotësimit të rekomandimeve të Bashkimit Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat .
“Zgjedhja u krye me vota partiake në raundin e katërt. Në këtë kuptim ishte një rast i humbur për të treguar një konsensus kombëtar dhe aftësinë për të bërë kompromis. Thelbi i demokracisë qëndron tek aftësia për të bërë kompromis. Kjo, mendoj, është ajo që pret Bashkimi Evropian, që pret populli në Shqipëri. Ne mendojmë se është e rëndësishme që udhëheqësit politikë, nga i gjithë spektri i politikës në Shqipëri, të ri-fokusohen në punën e tyre. Tani duhet të punojnë për 12 rekomandimet e rëndësishme, që Bashkimi Evropian ka bërë para më shumë se një viti. Shqipëria është me fat, që Bashkimi Evropian i ka caktuar 12 rekomandime jetike, mbi të cilat duhet të përqëndrohen politikanët dhe institucionet qeverisëse. Bashkimi Evropian pret të shikojë aftësinë e demokracisë së Shqipërisë për të ecur përpara. Jo të shikojë pas, por të shikojë drejt së ardhmes që institucionet dhe forca e demokracisë të përdoren për të plotësuar kriteret e nevojshme drejt rrugës evropiane”, vuri në dukje Reker, sa i takon një çështje të tillë.
I pyetur për rolin dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, Reeker vlereson ambasadorin Arvizu si përfaqësues të Shtetit Amerikan në vendin tonë dhe punën e ambasadës amerikane në Tiranë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit europian.
“Ambasadori Arvizu, ashtu si ambasadorët para tij dhe ne këtu në Uashington, jemi përpjekur të jemi miq të mirë të Shqipërisë. Ne kemi marrëdhënie të forta, i vlerësojmë këto marrëdhënie dhe shpresojmë t’i vazhdojmë marrëdhëniet e forta në të ardhmen. Përparësia jonë politike, që është në përputhje me synimet e deklaruara të Shqipërisë, është të ndihmojmë Shqipërinë të arrijë anëtarësinë në Bashkimin Evropian. Për ta arritur këtë, së bashku me partnerët tanë evropianë, ne japim këshilla bazuar në përvojën tonë, se si t’i arrijnë dhe plotësojnë kriteret për anëtarësi. Ambasada jonë është shumë e anagazhuar përmes programeve të ndihmave, apo nismës së fundit të ambasadorit Arvizu “Vepro Tani”, që përqëndrohet në rëndësinë e shoqërisë civile në demokraci dhe që është pritur mjaft mirë”, deklaroi Reeker.