Presidenti Bush falënderon Kryeministrin Berisha për pritjen e paharrueshme të popullit shqiptar gjatë vizitës së tij në Shqipëri
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi patën një drekë pune me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, në Kroaci
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, Presidentin e Maqedonisë, Branko Cervenkovski dhe Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, gjatë një vizite në Kroaci.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi, dhe homologët e tyre të Kroacisë dhe Maqedonisë patën një takim me Presidentin Bush në zyrat e Këshillit të Ministrave të Kroacisë. Gjatë këtij takimi Presidenti Bush në bisedën me Kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi, i uroi ata përzemërsisht për marrjen e ftesës për në NATO, ndërsa shprehu kujtimet e pashlyeshme për mikpritjen e madhe që populli shqiptar i bëri atij gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Kryeministri Berisha duke i shprehur falënderimet Presidentit Bush për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut theksoi se Shqipëria dhe Kroacia duhet të jenë plotësisht krenare për arritjet e tyre si në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake, duke u vendosur me dinjitet përkrah forcave të NATO-s, dhe kanë demonstruar se janë aleatë të besueshëm dhe kontribuues të paqes në rajon dhe më gjerë.
Më pas Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi ishin të ftuar në pritjen zyrtare që u zhvillua në sheshin para kishës “Shën Marku” në Zagreb, për nder të vizitës zyrtare të Presidentit Bush në Kroaci. Fjalën e hapjes e mbajti Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, i cili falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Kroacisë dhe Shqipërisë. Gjithashtu Kryeministri i Kroacisë përshëndeti pjesëmarrjen e delegacionit maqedonas në këtë takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij Presidenti Bush u shpreh se ndihej mjaft i lumtur për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë për anëtarësim në NATO dhe hyrjen e tyre në familjen e madhe euro-atlantike, dhe gjithashtu u shpreh se këto vende kanë bërë një rrugë të gjatë drejt lirisë dhe drejt implementimit të reformave.
Presidenti Bush theksoi se marrja e ftesës nga Shqipëria dhe Kroacia për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit ishte një shprehje e besimit të vendeve anëtare të NATO-s dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin që Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Presidenti Bush gjithashtu theksoi se Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende që e meritojnë plotësisht ftesën për anëtarësim në NATO nga reformat e kryera, nga përmbushja e standardeve dhe kritereve, veçanërisht me pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse. Presidenti Bush shprehu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qenë gjithmonë pranë këtyre dy vendeve dhe theksoi se ato do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe vendosmërinë e saj për anëtarësimin sa më të shpejtë. Më tej Presidenti Bush nënvizoi se SHBA do të mbështesë vendet e rajonit në përgjithësi në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të popujve të tyre. Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e SHBA-së për marrjen e ftesës nga ana e Maqedonisë, Presidenti Bush tha se një gjë e tillë do të bëhet pas zgjidhjes së çështjes së emrit, ndërsa nënvizoi se edhe Serbia dhe vendet e tjera të rajonit, të cilat po punojnë për të zhvilluar më tej standardet e demokracisë në vendet e tyre janë të mirëpritura në familjen e madhe euroatlantike dhe të BE-së.