Presidenti Bush përgëzon Shqipërinë dhe Kroacinë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO
-Kryeministri Berisha: Jemi të vendosur në realizimin e të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e plotë të Shqipërisë
Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëron ishte i ftuar sot në një drekë pune të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush në vilën rezidenciale Drekrizhje në Zagreb, për të festuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë. Në këtë drekë ishte i ftuar edhe delegacioni i Republikës së Maqedonisë i kryesuar nga Presidenti Branko Cervenkovski dhe Kryeministri, Nikola Gruevski.
Gjatë kësaj dreke u diskutua gjerësisht për zhvillimet rajonale si dhe për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve.
Gjithashtu biseda u fokusua edhe në përgjegjësitë që rrjedhin nga ftesa për anëtarësim në NATO, për të pasur si rezultante të shpejtë anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Dreka e shtruar nga Presidenti Bush, u hap me fjalën përshëndetëse të Presidentit të SHBA-së, në të cilën ai u uroi mirëseardhjen delegacioneve të larta të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut dhe përgëzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për marrjen e ftesës së anëtarësimin në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit. Presidenti Bush shprehu vlerësimet e tij pozitive për reformat e vështira dhe të mëdha që këto vende kanë nisur dhe janë duke implementuar, për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që këto vende kanë ditur të ndërtojnë në një rajon siç është Ballkani dhe shprehu falënderimet për kontributin që vendet e Kartës së Adriatikut kanë dhënë me forcat e tyre paqeruajtëse në misionet e NATO-s. Presidenti Bush i ftoi vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë të vijojnë procesin e modernizimit të forcave të tyre ushtarake.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha pasi falënderoi Presidentin e Kroacisë për mikpritjen, i shprehu mirënjohjen e thellë Presidentit Bush për kontributin përcaktues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për zhvillimet në Ballkan. Kryeministri Berisha gjithashtu shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të proceduar me reformat e nevojshme për plotësimin e standardeve të kërkuara për anëtarësimin e plotë në NATO në të gjitha aspektet, veçanërisht në atë ushtarak.
Gjatë kësaj dreke fjalën e morën Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Presidenti i Maqedonisë Branko Çervenskovski, të cilët falënderuan Presidentin Bush për drekën dhe i shprehën atij mirënjohjen e thellë të vendeve të tyre për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për proceset e zhvillimit të lirisë dhe demokracisë në këto vende. Presidenti Topi dhe Presidenti Mesiç i shprehën mirënjohjen Presidentit Bush për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë për anëtarësimin në NATO, si dhe vlerësuan rolin vendimtar që SHBA ka luajtur për marrjen e këtij vendimi gjatë Samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bukuresht.
Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua për një bashkëpunim sa më të gjerë rajonal mes tre vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut.