E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bush në Japoni për takimin e G-8

Presidenti George Bush mbërrin sot në Japoni për takimin e nivelit të lartë të tetë vendeve më të industrializuara të botës, që njihet si Grupi i Tetëshes.

Zoti Bush tha këtë javë se takimi tre ditor do të shtrojë për zgjidhje çështjet më kritike në botë, përfshirë furnizimet me energji dhe ushqime. Takimi fillon të hënën.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë dje se udhëheqësit e tetëshes ka të ngjarë të kritikojnë ashpër Presidentin e Zimbabves, Robert Mugabe dhe të diskutojnë legjitimitetin e qeverisë së tij, pas ballotazhit në të cilin ai ishte kandidati i vetëm.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve që po udhëtojnë me Presidentin se zoti Bush do të diskutojë me Kryeministrin e Japonisë, Yasuo Fukuda statusin e bisedimeve gjashtë palëshe me Korenë e Veriut, për të cilat zyrtari tha se gjenden në një pikë kritike. Të dy udhëheqësit do të takohen sot para fillimit të takimit të nivelit të lartë.

Zyrtari tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë hapin e ardhëshëm që duhet të ndërmerret në bisedimet gjashtë palëshe, përfshirë mënyrën e verifikimit të deklaratës së Koresë së Veriut për programin e saj bërthamor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›