E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bush vlerëson rolin e Shqipërisë në rajon për zhvillimin e demokracisë

Të martën pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në punimet e tryezës së rrumbullakët të iniciuar nga Presidenti Bush, me temë “Demokracia dhe shoqëria sociale”, ku ishin të pranishëm 20 kryetarë shtetesh. Presidenti Bush, pasi iu uroi mirëseardhjen të ftuarve, zhvilloi me ta takime të veçanta dhe diskutoi për problemet specifike të vendeve.

Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, të dy personalitet u fokusuan kryesisht në çështjen e Kosovës, për të cilën Presidenti Bush garantoi mbështetjen e tij të plotë për pavarësinë e Kosovës, inkurajoi punën që po bëhet në kuadrin e Trojkës, duke përcjellë mesazhin e sigurisë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për premtimin e dhënë. Gjithashtu, Presidenti Bush u shprehu disa prej pjesëmarrësve impresionet e shkëlqyera nga vizita e tij në Shqipëri, duke i këshilluar ata që të vizitonin Shqipërinë si një vend shumë interesant.

Punimet e tryezës së rrumbullakët u përqëndruan tërësisht mbi demokracinë dhe vlerat e saj, kontributin e vendeve pjesëmarrëse në ndërtimin e demokracisë, si dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara japin në këtë drejtim.

Në takim Shqipëria mori një vlerësim shumë pozitiv nga liderët pjesëmarrës për mënyrën e funksionimit të demokracisë në vend dhe përpjekjet e bëra për zhvillimin e demokracisë dhe të shoqërisë së lirë në Shqipëri.

Më poshtë vijon një prononcim për mediat i Kryeministrit Berisha: 

Pyetje: Zoti Kryeministër, si shkoi takimi me Presidentin Bush dhe çfarë u diskutua atje?

Kryeministri Berisha: Ky ishte një takim i shkëlqyer, i organizuar nga Presidenti Bush, në të cilën u zhvilluan biseda edhe të veçanta, edhe kolektive, shumë të përzemërta. Pasi i uroi secilit mirëseardhjen dhe diskutoi me secilin për problemet e veçanta, Presidenti Bush na ftoi të ulemi në tryezë. Biseda u përqëndrua tërësisht mbi demokracinë dhe vlerat e saj, kontributet e secilit prej vendeve tona në ndërtimin e demokracisë, ndihmën që Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të japin, eksperiencat e secilit prej nesh. Mund të them se ishte një takim vërtet i shkëlqyer, të cilin presidenti e mbylli duke thënë se e ndjente veten anëtar të këtij klubi. Të pranishmit shprehën vlerësimin e madh edhe për fjalën e presidentit, e cila iu kushtua më shumë se çdo gjëje tjetër, lirisë dhe zgjerimit të saj.

Gjatë takimit unë pata rastin të paraqes dhe të shqyrtoj problemin e Kosovës, për të cilën Presidenti Bush më garantoi mbështetjen e tij të plotë për pavarësinë e Kosovës, vlerësoi punën që po bëhet në kuadrin e Trojkës dhe dha mesazhin e sigurisë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara në mbajtjen e  premtimit të dhënë.

Pyetje: Cili ishte qëndrimi i liderëve të tjerë për Kosovën?

Kryeministri Berisha: Në fakt, secili paraqiti problematikën e rajonit të vet, por përveç meje, pati edhe liderë të tjerë që folën për këtë çështje. Mund të theksoj vendet balltike të cilat u shprehën për zgjidhjen e problemit, si një kusht i domosdoshëm për stabilitetin. Gjithashtu, kishte edhe diskutime të tjera shumë pozitive.

Pyetje: Çfarë kuptuan liderët botërorë nga realiteti shqiptar për mënyrën se si funksionon liria, demokracia në vendin tonë, si vend me një demokraci ende në tranzicion?

Kryeministri Berisha: Në fakt pati një vlerësim shumë pozitiv. Edhe vetë Presidenti Bush u shprehu impresionet e tij të shkëlqyera nga vizita e tij në Shqipëri, disa prej pjesëmarrësve dhe u kërkoi atyre të vizitojnë Shqipërinë, si një vend shumë interesant. Natyrisht, edhe Shqipëria edhe vendet e tjera që ndërtojnë demokracinë përballen me vështirësitë, por me vështirësi që zgjidhen në rrugë demokratike, në rrugë ligjore dhe kjo është meritë e demokracisë.

Pyetje: Zoti Berisha, ju e cilësoni këtë takim si kulmin e vizitës tuaj në Nju Jork. Pse e konsideroni të tillë, për shkak të pjesëmarrjes së Presidentit Bush, për temat e ngritura atje, apo për ndonjë arsye tjetër?

Kryeministri Berisha: Janë një kompleks arsyesh. Së pari, takimi me Presidentin Bush është takimi më kulmor. Së dyti, fryma e takimit ishte jashtëzakonisht miqësore. Së treti, na u dha mundësia që në takim, i cili ishte sa kolektiv aq dhe individual, secili prej nesh të bisedonte individualisht me Presidentin dhe të shprehte problemet kryesore që donte të trajtonte. Pra, në këtë kontekst, mund të them se ishte vërtet momenti më kulmor i qëndrimit tim në Nju Jork.

Pyetje: Një nga prioritetet më të rëndësishme të Shqipërisë është marrja e ftesës për anëtarësim në NATO. Nga takimet që kishit me anëtarët e aleancës, sa optimiste duhet të jetë Shqipëria në marrjen e kësaj ftese?

Kryeministri Berisha: Mund t’ju them se një nga tre qëllimet bazë të këtij udhëtimi është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe unë në të gjitha takimet që zhvillova kërkova këtë mbështetje. Presidenti Bush dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara kanë garantuar plotësisht mbështetjen, natryisht mbi bazën e reformave. Por mund t’ju them se nga njoftimet që kam, në Bruksel u paraqit Plani i Veprimit të Ciklit të 9-të dhe vlerësimet kanë qenë shumë pozitive nga audienca e cila e dëgjoi. Procesi i anëtarësimit në NATO është një proces jetik dhe historik për ne. Natyrisht, ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të merituar ftesën në vitin 2008. Shpresoj që perpjekjet tona dhe zhvillimet në rajon të bëjnë të mundur marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›