Presidenti i Bankës Botërore Zoellick: Vlerësojmë punën e qeverisë shqiptare në drejtim të reformave dhe këshillojmë vazhdimin e tyre
Sot, Kryeministri Berisha zhvilloi nje takim me presidentin e Bankës Botërore, zotin Robert Zoellick.
Presidenti I Bankës Botërore i shprehu Kryeministri Berisha përgëzimet me të ngrohta për sukseset e arritura në këto 2 vite, sidomos në luften kunder krimit, duke inkurajuar njëkohësisht perpjekjet e shkelqyera të qeverisë shqiptare kunder fenomenit të korrupsionit. Duke i kërkuar Kryeministrit Berisha të vazhdojë rrugën e nisur drejt reformave, si rruga e vetme për arritjen e rezultateve, presidenti i Bankës Botërore siguroi kryeministrin Berisha, për mbështetjen e Bankës Botërore në projektet e qeverise në mënyrë që reformat te jene sa me te sukseshme dhe efikase.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu falenderimet më të thella zotit Zoellick, për mbështetjen e vazhdueshme të BB-së në vendin tonë, nëpërmjet projekteve të ndryshme, në infrastrukturë, arsim, energji, etj, ecuria e të cilave është shumë e kënaqshme.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Zoellick me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fusha të ndryshme, ku ndër të cilat një vend të veçantë zënë rezultatet në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu Kryeministri Berisha e informoi zotin Zoellick veçanërisht për reformat e ndërrmarra në ekonomi, si dhe përpjekjet në luftën kundër informalitetit, të cilat kanë dhënë frytet e tyre nëpërmjet një rritjeje ekonomike prej 6 % , rritje e cila do të jetë më e dukshme në të ardhmen. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se së shpejti Shqipëria do të jetë vendi me barrën fiskale me të ulët në Evropë.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha kërkoi që Banka Botërore të angazhohet më tepër me investime në energji dhe prodhimin e saj. Kryeministri e njohu gjithashtu, zotin Zoellick me përpjekjet e bëra në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për privatizmin e shperndarjes së energjisë elektrike.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha mori mbështetjen e plotë të Bankës Botërore, për zgjerimin e projekteve në fushën e arsimit dhe trashëgimisë së pasur kulturore të vendit.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim, për intensifikimin e bashkëpunimit të mëtejshëm të qeverisë shqiptare dhe institucionit të rëndësishëm financiar të Bankës Botërore.