Luksemburgu, mbështetje Shqipërisë për anëtarësimin në NATO
Kryeministri Berisha u takua të hënën në Nju Jork me Zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, njëkohësisht Ministër i Jashtëm, zotin Jean Asselborn.
Kryeministri Berisha dhe zoti Asselborn vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryeministri e falënderoi për ratifikimin nga parlamenti i Luksemburgut të Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si dhe e informoi për zbatimin e Marrëveshjes Ad Interim.
Zoti Asselborn, duke sjellë në vëmendje vizitën që ka zhvilluar kohë më parë në Shqipëri, shprehu vlerësimet maksimale për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në këto dy vitet e fundit. Ai përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, kryesisht në sistemin bankar dhe në fushën ekonomike, duke theksuar nevojën për vazhdimin e reformave në Shqipëri.
Kryeministri e njohu Zëvendëskryeministrin Asselborn me reformat si dhe arritjet e qeverisë shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, reformën në fushën ekonomike dhe krijimin e një klime lehtësuese për biznesin. Duke diskutuar lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është një vend ku demokracia funksionon, duke përmendur rotacionin e qetë politik, zhvillimin e qetë të zgjedhjeve lokale si dhe zgjedhjen në mënyrë Kushtetuese të Presidentit të Republikës.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Asselborn me reformat në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, rreshtimin e ushtarëve shqiptarë në misionet ushtarake të NATO-s, në Afganistan, Irak dhe së shpejti në Liban, Kryeministri Berisha kërkoi mbështetje nga Luksemburgu për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke u shprehur se ushtria shqiptare është një ushtri e vogël dhe profesioniste dhe për buxhetin e vitit 2008 është planifikuar 2 për qind e GDP-së të shkojë për Forcat e Armatosura. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, tha Kryeministri Berisha, është një kontribut për rajonin.
Zëvendëskryeministri Asselborn siguroi Kryeministrin Berisha se qeveria e Luksemburgut do të mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në NATO. Nisur nga zhvillimet në rajon, zoti Asselborn vlerësoi se Shqipëria ka një rol shumë të rëndësishëm në rajon. Dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, i cili duhet të zgjidhet brenda kornizave të përcaktuara nga faktori ndërkombëtar.
Kryeministri Berisha mbështeti zgjidhjen e statusit të Kosovës në përputhje me paketën Ahtisaari, ndërsa Zëvendëskryeministri i Luksemburgut u shpreh se është mirë që t’i jepet një shans negociatave 120 ditore. Zëvendëskryeministri Asselborn kërkoi gjithashtu që Europa duhet të ketë një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.