Presidenti, Dade: Nano ka votuar kundër PS, Topi ka kryer detyrën
E ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në News24, deputetja socialiste, Arta Dade theksoi se është e nevojshme që presidenti i ardhshëm i vendit të zgjidhet me konsensus mes palëve. E pyetur në lidhje me mundësinë e përfshirjes së Fatos Nanos në listën e kandidatëve të PS-së për presidentin e ardhshëm, Dade tha se “është e drejta e secilit të aspirojë për president. Nuk ndodh që një lider 15-vjeçar të thotë se nuk e ka votuar partinë e tij, siç ka bërë Nano”. Duke theksuar se është ende shpejt për të folur për kandidaturën e PS-së për president, deputetja socialiste nuk pranoi dhe as hodhi poshtë mundësinë e mbështetjes për presidentin aktual, Bamir Topi. “Nuk kemi filluar ende bisedimet për presidentin e ardhshëm të vendit. Vazhdojmë të kemi presidentin aktual, i cili në momente të caktuara e ka luajtur rolin e tij si kryetar i shtetit. E mira është që të kemi një president konsensual. Ka mjaft hapësira që t’i kthehemi konsensusit. Besoj që nuk është ky momenti që të bëjmë vlerësime për presidentin, nuk duhet të sulmojmë institucionet, siç ka bërë mazhoranca me Presidencën”, - u shpreh Dade.
Deputetja socialiste, Arta Dade bëri të ditur se PS-ja në çdo moment ka punuar pro integrimit të vendit dhe në asnjë rast nuk e ka bojkotuar atë. “Edhe në takimin e fundit që patëm me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, kemi shprehur angazhimin që duam të marrim pjesë në të gjitha angazhimet për integrimin dhe theksuam se Shqipëria duhet ta meritojë integrimin, shans që e humbi për herë të dytë për shkak të politikës së gabuar që ndoqi mazhoranca”, - tha Dade
E pyetur në lidhje me kërkesën e dërguar nga zyra e PS-së për një takim mes kryetarit të PS-së, Edi Rama, me kryetarin e AAK-së në Kosovë, Ramush Haradinaj, në një kohë që ky i fundit përballet me drejtësinë në Hagë, Dade deklaroi se “kërkohen verifikime për këtë çështje, nuk e di nëse kjo ka ndodhur”, - deklaroi Dade. Ndërkohë, deputetja e PS-së theksoi se kreu i kësaj partie i kushton vëmendje të veçantë politikës së jashtme, por ai është një lider ndryshe, që flet dhe komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Rama është një lider ndryshe, ndoshta është keqkuptuar nga disa ambasadorë, pasi në diplomaci flitet dhe me gjeste. Është një lider i një tipi tjetër, jo i tipit tradicional, pra nuk është i nivelit që t’u puthë dorën diplomatëve të huaj”,- u shpreh Dade.