Mbikëqyrja elektronike e të burgosurve, Opozita: Do përdoret për fushatë
Nisma ligjore për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve ka futur në konflikt Ministrinë e Drejtësisë me Prokurorinë e Përgjithshme. Ka qenë organi i akuzës ai që nuk është pajtuar me survejimin e të burgosurve nëpërmjet pajisjeve elektronike në trup, duke e konsideruar këtë si një masë që mund të merret vetëm me urdhër të prokurorit. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Ardit Hysa duke folur para deputetëve të komisionit të Sigurisë ku po diskutohej ky projektligj. Nisma ka gjetur sërish qëndrimin kundër të opozitës, e cila e ka konsideruar atë si të pazbatueshëm në kushtet e Shqipërisë, duke hedhur në të njëjtën kohë hije dyshimi se ajo do të përdoret për fushatat elektorale.
Kundërshtimi
Drafti ka kaluar dje në komisionin e Sigurisë Kombëtare duke u bërë gati për t’u votuar në seancë, por ka ndarë sërish mazhorancën dhe opozitën në qëndrime krejt të kundërta. Gjatë shqyrtimit, përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Ardit Hysa ka zbuluar disa elementë të tij diskutimit të projektligjit në fazën e konsultimit me aktorët fushës, siç është edhe Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tij, Prokuroria nuk është shprehur dakord me këtë nismë, pasi sipas saj projektligji synon të survejojë persona, qoftë këta edhe të dënuar, ndërkohë që sipas këtij institucioni përgjimi mund të bëhet vetëm me urdhër të organit të akuzës. “Nuk mbaj mend nëse përfaqësuesi i Prokurorisë ishte në tryezën e organizuar apo jo, por di të them se prokuroria e ka keqkuptuar nismën, pasi në shkresën që na çoi si përgjigje, na tha se të drejtën për të urdhëruar përgjimin e ka prokurori”, - tha Ardit Hysa në komisionin e Sigurisë Kombëtare. Megjithatë, ai ka shpjeguar se kjo e drejtë prokurorit i takon në fazën e hetimeve dhe jo pasi është dhënë dënimi, dhe së dyti nuk bëhet fjalë për një përgjim të mirëfilltë, por për vendosjen e pajisjes elektronike me pëlqimin e vet të dënuarit. Shpjegim ky që nuk ka kënaqur deputetët e opozitës, të cilët kanë hedhur dyshime për nismën duke i dhënë të drejtë prokurorisë. “Nuk besoj se Prokuroria ka njerëz aq të paaftë sa të mos kuptojë qëllimin e nismës. Ndaj qëndrimi i shprehur prej tyre duhet parë me seriozitet”, - tha deputeti socialist Arben Çuko.
Opozita
Por nuk ka qenë vetëm ky dyshimi që kanë pasur socialistët lidhur me këtë nismë, pasi ashtu si dy ditë më parë, kolegët e tyre në komisionin e Ligjeve edhe ata të komisionit të Sigurisë kanë ngritur një sërë shqetësimesh të tjera mbi sigurinë e këtij sistemi survejimi. Sipas tyre, kjo nismë ka shumë pak mundësi të zbatohet në terren, pasi vendi ynë ka specifika të veçanta, çka mund ta bëjnë të pakontrollueshëm, qoftë me mbulimin me valë të të gjitha zonave, ashtu edhe për reagimin në kohë të forcave të policisë në momentin që zyra e koordinimit do të konstatojë se një i burgosur ka dalë jashtë perimetrit të lejuar. “Mund të qëllojë që një i burgosur është 5 minuta larg kufirit, ndërkohë që forcat e policisë mund të jenë e pakta dy orë larg tij. Si mund ta ndalohet një person i tillë të largohet?”, - tha deputeti tjetër socialist, Asllan Dogjani. Ndërkohë që deputetë të tjerë të opozitës kanë ngritur shqetësimin se hyrja e këtij ligji në fuqi përkon me fazën para fushatës elektorale, çka me shumë gjasa sipas tyre, mund të shërbejë për t’i përdorur të burgosurit në fushata. Por përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë ka garantuar se bëhet fjalë fillimisht për një projekt pilot që do të zbatohet vetëm për 300 të burgosur në Tiranë, ndërkohë që ka dhënë garanci për sistemin elektronik të kontrollit.