Presidenti: Haiti nuk duhet dhe nuk do të vdesë
Një muaj pas tragjedisë, i gjithë vendi lutet për ditë më të mira
Dje Haiti ka përkujtuar viktimat e tërmetit shkatërrimtar, që mori jetën e mbi 200 mijë personave, duke shkaktuar edhe dëme jashtëzakonisht të mëdha materiale. “Haiti nuk do të vdesë, ai nuk duhet të vdesë”, ka deklaruar para mijëra vetëve Presidenti i vendit. Pikërisht një muaj më parë, i gjithë vendi u trondit nga gjëma që, veç të vdekurve, do të shkaktonte edhe 300 mijë të plagosur. Po dje, me rastin e njëvjetorit të tërmetit, u mbajt edhe një shërbim lutjesh në një varr masiv në periferi të kryeqytetit, në të cilin mendohet se ndodhen mijëra trupa të pajetë. Më pas, pikërisht në orën e tronditjes së tërmetit, haitianët janë gjunjëzuar të gjithë si komb në shenjë lutjeje për viktimat dhe shpresë për ardhmërinë e vendit që mori një nga goditjet më të rënda të kohëve moderne, duke qenë ndërkohë një nga vendet më të varfra të planetit. Situata një muaj pas goditjes vazhdon të jetë e rëndë, me mijëra njerëz të dëmtuar, shumë të tjerë të pastrehë dhe të paushqyer. Megjithatë, ata që kanë shpëtuar urojnë që tashmë gjërat të shkojnë mirë për vendin e tyre dhe vëmendja e botës të vazhdojë të jetë me ta deri në marrjen e vetes. Pjesa më e madhe e njerëzve të mbetur të pastrehë ndodhen nëpër tenda dhe strehë të ngritura posaçërisht nga organizatat ndërkombëtare të emergjencës.
Tërmeti i 12 janarit ishte 7 ballësh sipas shkallës Rihter dhe epiqendra e tij ishte në jugperëndim të Port-au-Prince. Sipas shifrave thuajse përfundimtare të qeverisë, nga kjo goditje vdiqën plot 217000 persona, ndërsa 3 milionë të tjerë u prekën nga pasojat e saj, një milion mbetën tërësisht të pastrehë dhe u shkatërruan 250000 shtëpi. Kjo fatkeqësi shkaktoi një solidarizim të madh të shumë vendeve, organizatave dhe organizmave ndërkombëtarë, që asistuan vendin dhe banorët e tij me ndihma materiale, para dhe asistenca të tjera. Gjithsej në këtë vend erdhi një ndihmë prej 500 milionë dollarësh, 250 milionë prej të cilave ishin ndihmë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerika ka gjithashtu në këtë vend një personel ushtarak prej 13 mijë vetash.
#