E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shqipëria e madhe", një mendim i vjetër dhe arkaik

Kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për gjermanen "Die Presse", ku flet për planet ambicioze të qeverisë së tij të re, krizën ekonomike dhe frikën ndaj "Shqipërisë së madhe".

Qeveria juaj e re ka tri javë që ka filluar detyrën. Cilat janë projektet tuaja më të rëndësishme?

Ne duhet të kryejmë të gjitha reformat e nevojshme dhe të përshtatim të gjithë legjislacionin e duhur që vendi ynë të jetë gati për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Ne duhet të fillojmë negociatat për të marrë nën kontroll euron. Një euro e fortë ndihmon eksportet tona, por rëndon fushat e tjera të ekonomisë.

Shqipëria nuk është anëtare e BE-së. Si doni ju ta adoptoni euron?

Derisa kriza ekonomike nuk ka mbërritur, nuk do të mendojmë për këtë gjë. Monedha jonë është dobësuar përballë euros me tetë deri në dhjetë për qind. Ne nuk kemi një kohë të caktuar për euron. Por unë mendoj se duhet të fillojnë bisedimet lidhur me këtë çështje.

Sa e ka prekur Shqipërinë kriza ekonomike?

Ne e kemi kaluar krizën në një situatë më të mirë se të tjerët. Të ardhurat e shtetit këtë vit u rritën me dhjetë për qind në krahasim me vitin e mëparshëm. Këtë vit kishim një rritje në turizëm me 36%. Por eksportet kanë rënë me rreth 12%.

Nisur nga kriza ekonomike, a mendoni se janë të mirëpritura vendet e Ballkanit në BE?

Aktualisht kërkohen 27 çelësa për të hapur portën e Brukselit. Kjo nuk është e lehtë. Por procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Europë është i pakthyeshëm. Sigurisht që në Bashkimin Europian nuk ka shumë eufori. Gjithsesi BE ka garantuar vendet e rajonit tonë se do ta mbajë premtimin e saj.

BE ka kritikuar Shqipërinë në aspekte të veçanta si korrupsioni dhe problemet në drejtësi...

Këto janë shqetësime shumë serioze. Bashkimi Europian ka të drejtë teksa kërkon të luftohet korrupsioni. Por, indeksi i korrupsionit në vitet e fundit tregon se ne kemi bërë përmirësime dhe kemi pasur rezultate në luftën ndaj korrupsionit.

Ju jeni përfshirë tanimë në një koalicion me Ilir Metën. Ju keni akuzuar më parë njëri-tjetrin për korrupsion dhe lidhje me mafien. Si funksionon koalicioni?

Rezultati i zgjedhjeve e diktoi këtë koalicion. Unë nuk doja zgjedhje të reja dhe kisha dy opsione: zotin Meta ose zotin Edi Rama të Partisë Socialiste. Unë isha i prirur për Metën, sepse nëse do të bëja koalicion me Ramën, do të mbesnin katër deputetë në opozitë, por vendi ka nevojë për një opozitë të fortë.

Por kjo opozitë e fortë e zotit Rama ende nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve dhe ka vendosur bojkotin e Parlamentit…

Kjo është e turpshme. Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konfirmuar se u arrit përmbushja e shumicës së kritereve të OSBE-së. Është e vështirë për mua të besoj se socialistët do të mbajnë një parti jashtë Parlamentit. Ata do të kthehen gradualisht.

A ushqen frikën e "Shqipërisë së madhe" bashkëpunimi i ngushtë midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndërtimi i autostradës së re mes dy vendeve?

Ky është një mendim i vjetër dhe arkaik. Nëse vendet vendosin të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin, kjo nuk do të thotë bashkim territoresh. Autostrada e re lidh Kosovën me detin. Ajo është gjithashtu e rëndësishme për rritjen e turizmit në Shqipëri dhe një lidhje e rëndësishme edhe për Serbinë dhe Maqedoninë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›