Takimi, Jeremiç fton Metën në Beograd
Gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit në Budapest, dedikuar Ballkanit Perëndimor, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një takim dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, me kërkesën e këtij të fundit. Zoti Meta dhe zoti Jeremiç ranë dakord për avancimin dhe konkretizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në procesin e integrimit europian. Ministri Jeremiç ftoi ministrin Meta për një vizitë zyrtare në Beograd, e cila u pranua me kënaqësi nga zoti Meta. Dy ministrat e Jashtëm ranë dakord për të plotësuar sa më shpejt kuadrin ligjor të marrëdhënieve dypalëshe si një domosdoshmëri për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe në drejtime të tjera. Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Serbisë u vlerësua nga dy homologët si i një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Lidhur me çështjen e Kosovës, Meta u shpreh se, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të të dyja vendeve për këtë çështje, e ardhmja e Kosovës është një e ardhme e sigurt europiane si për të gjithë rajonin tonë. Kryediplomati shqiptar takoi dje edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, Miguel Angel Moratinos. Ministri Moratinos, në emër të presidencës së radhës spanjolle të Bashkimit Europian, shprehu mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave. Në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe aplikimin e Shqipërisë, ministri Moratinos shprehu mbështetjen e vendit të tij për liberalizimin e vizave. Ministri spanjoll u shpreh se "kjo është një çështje e karakterit teknik, për të cilën Shqipëria do të ketë mbështetjen dhe asistencën e Spanjës në përmbushjen e detyrimeve që ky proces mbart". Meta theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për "përmbushjen në kohë së më të shpejtë të të gjitha detyrimeve, duke shënuar progres jo vetëm në prodhimin dhe pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike, por edhe në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve, të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit dhe reforma në sistemin e drejtësisë".
E.Gj.
E.Gj.