Plani 6-pikësh i lojës urithiane të Serbisë e rikthen “krizën milosheviçiane” në Ballkanin Perëndimor

Nëpër natën e zezë, komshiu lakmitaraq e hileqarë, i shtyni kufinjtë e arës së tij duke i marrë tokën me të padrejtë fqinjit të vet. Të nesërmen u mblodh kuvendi i burrave për të pleqnuar konfliktin. Grabitësit të tokës së tjetrit i shkoi mendja në një dredhi: Kjo punë zgjidhet nesër. Të gjithë do të shkojmë tek guri i kufinit dhe do ta pyesim tokën: E kujt je? Toka ka me folë nëse është e imja apo e komshiut. Kuvendi e la këtë shteg hapur. Tanë natën grabitësi i tokës e hapi një gropë. Aty futi djalin e vet. E porositi të birin që të thoshte se toka është e tyre. Të nesërmen në mëngjes shkuan amanetqarët e kuvendit tek guri i tokës së grabitur. Ata, të ulur në gjunjë, e pyetën tokën: E kujt je? Toka nuk lëshoi asnjë zë nga zemra e vet. I vunë veshin tokës. Asnjë fjalë të vetme. Lakmitari hileqar e lëshoi kujën duke rrëfyer historinë tragjike e kërkuar djalin e groposur për së gjalli në një “arkivol” druri e me një tub me shtatë vrima deri në sipërfaqe. Djali i ishte kthyer në urith…e po lëronte tokën… Grabitqari i ndëshkuar prapë ulërinte se “Toka ishte e tij”(!), po, tashmë, askush nuk e besonte, ndaj ia dhanë tokën e grabitur trashgimtarit legjitim të saj. Kjo histori në kufinjtë e legjendës i përngjet realitetit historik të Serbisë grabitqare ndaj Tokës Etnike të Shqiptarëve.
2. Serbia ndër shekuj ka ecur duke i shtyrë kufijtë e vet me rrëmbim të tokave të Shqiptarëve, me “lojën e urithit”, nga shek. VI deri tek shek. XXI, duke i stër e keqthënë botës se “Kosova është djepi i Serbisë”(!!!)…Kështu e mori Sanxhakun në fund të shek. XIX. Kështu e mori Kosovën…e Luginën e Preshevës në shek. XX. Bota, në kuvendet e saj nga Shën Stefani, Berlin, Paris, Londër…, nuk erdhi asnjëherë me e pyetë tokën shqiptare se “E kujt je?” për ta mësuar realisht urithërinë e Serbisë grabitqare ndaj Tokës Etnike Shqiptare. Në dekadën e fundit të shek. XX Bota u zgjua…dhe erdhi në Kosovën Dardane. E pyeti Tokën: E kujt je? Ajo nuk tha: “Jam djep i Serbis녔. Atëherë Bota e mësoi realisht se ç’padrejtësi i janë bërë Shqiptarëve nga Serbët, se çpadrejtësi kishte bërë vetë Bota duke iu besuar legjendave urithiane të Serbëve në dëm të Shqiptarëve. Serbët prapë ulërinin me të “shtatë vrimat e fyellit” të tyre se “Kosova është e jona…”(!!!), por ndërhyri NATO më 24 mars 1999 duke i dhënë Lirinë, ndërsa OKB, në mbledhjen e 4011 të Këshillit të Sigurimit, më 10 qershor 1999, me Rezolutën 1244 e shpalli Kosovën Protektoriat Ndërkombëtar të saj, kurse më 17 shkurt 2008 Kosova e shpalli Pavarësinë. Serbia, në shek. XXI, nisi keqas me “lojën e urithit” në Mitrovicën Veriore e tani po don ta shtrijnë edhe në komuna të tjera, në të ashtuquajturat “enklavat serbe” në Kosovë. Nuk e dimë sa është i njohur Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban-Ki Moon, e lojën serbe të urithit, kur më 11 nëntor 2008 doli në konferencë shtypi e shpalli botërisht “Planin 6 Pikësh” lidhur me rregullimin formal-juridik të statusit të Kosovës, por besoj se ndërgjegjia e tij si korean, si Qytetar i Botës së Lirë, si Lider i Organizatës më të fuqishme të Kohës, do ta shtyjnë ta pyesin jo vetëm Serbinë grabitqare, hileqare, gjakatare, por edhe Tokën Shqiptare të Kosovës, që tashmë nuk mundet me u “lërue” nga urithët serbë siç vepruan me Sanxhakun Shqiptar, me Luginën Shqiptare të Preshevës (që këto dy krahina shqiptare i mban ende të okupuara).
Z. Ban-Ki Moon, Toka e Kosovës ka me thanë në dritë të diellit e faqe botës se: “Kufinjtë i kam të caktuem në Flamurin e Kosovës që është nisur i shpalosur për t’u valëvitur në selinë e OKB”… Asnjë nga 192 shtetet antare të OKB-së nuk i ka kufinjtë e Tokës së Vet në Flamurin e Vet Shtetëror. Toka - SHBA, ku ngrihet tash 6 dekada selia e OKB, Toka-Korea, ku lindët 64 vjet më parë, 3 vende antare të përhershme të KS, 7 shtetet e G-7,…52 shtete nga të 6 kontinentet e botës e kanë njohur Pavërsinë e Kosovës. Njëfarë Ivanoviç, i graduar si sekretar shtetit në ministrinë serbe për Kosovën deklaron se “Plani Ahtisari ka vdekur”(!). Atëherë, z. Ban-Ki Moon, në rast se i besoni këtij serbi e kësaj Serbie, a mos po “ringjallen urithët e Serbisë”?!... Ne, Shqiptarët, e kemi besuar e zbatuar Planin Ahtisari si të mirën më të mundshme, atëherë si mundet të na serviret “Plani 6 Pikësh” si e keqe e padëshirueshme dhe e papranueshme.
3. Z. Ban-Ki Moon, Ju, kur ishit kryediplomat në vendin Tuaj, keni luftuar që të mos ketë “Urë Ibrit” në mes të dy Koreve: Koresë së Veriut e të Jugut. Ju, kur jeni nderuar me tituj e grada në vendin Tuaj e në Botë, jeni betuar për të gjetur zgjidhje për heqjen e zgjedhës (neo)koloniale ndaj popujve në Rendin e Ri Botëror dhe jo të lejoni apo miratoni zgjedhë me “Kular 6 Pikësh” nga Serbia ndaj një vendi të vogël në zemër të Europës, ndaj Shtetit më të ri të Botës, ndaj Kosovës që OKB e çoi nga Protektorat Ndërkombëtar në Pavarësi…
Shqiptarët kurrë nuk janë treguar urithianë si Serbët, as në legjenda dhe as në histori, prandaj pyete Tokën e Kosovës, se ka histori pellazgo-dardane 6 mijëvjeçare, se po njihet si Shtet i Pavarur e Sovran në 6 kontinentet e botës, se do të jetë Shtet më Vete si 6 ish-Republikat e Jugosllavisë, se është një nga pjesët e Kombit Shqiptar të ndarë në 6 shtete të Ballkanit.
Kosova është i vetmi vend në botë që: Në Flamurin e vet Shtetëror ka 6 yje që simbolizojnë 6 minoritete të saj. Në shtetin e vet, ndonëse me 92 për qind shqiptarë etnikë, ka festa zyrtare për 6 minoritetet e saj, si për serbët (dy festa), turqit (23 prill), romët (8 prill), ashkalinjtë (15 shkurt), boshnjakët (28 shtator) e goranët (6 maj). Kosova, si rrallë kush, vetëm me rreth 8 për qind minoritete në tokën e saj, ka 6 gjuhë zyrtare: Shqip e Serbisht ( në nivel kombtar), Anglisht (Administrata Ndërkombtare në Kosovë) dhe Turke, Rome e Boshnjake (në nivel lokal). Kosova, në Kushtetutën e saj, ka të përcaktuar si Shtet 6 elementë të integritetit e integrimeve të saj: 1-Shtet i Pavarur. 2- Shtet Sovran. 3- Shtet Demokratik. 4- Shtet Unik. 5-Shtet i Pandashëm. 6- Shtet pa pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti tjetër dhe nuk kërkon bashkim me asnjë shtet tjetër apo pjesë të ndonjë shteti tjetër.
Nisur nga të gjitha këto, çka (keq)kërkoni të shtoni edhe një “Plan 6 Pikësh” në Këshillin e Sigurimit përballë gjithë këtyre 6-tave simbolike, demokratike, jetike e praktike të Kosovës apo, ndokush, duke i lartësuar këto 6 pika famëkëqija të 11 nëntorit 2008 kërkon t’i fundosë, ç’ekulibrojë e tensionojë këto shumësi 6 pikash të shtetit të Kosovës duke i sjellë Kombit Shqiptar e Ballkanit problematika të reja. Ky “Plan 6 Pikësh”, që në projekt, tregon dukshëm se është vetë Kriza e OKB-së dhe e Këshillit të Sigurimit, që në Kosovë nuk mund të përcillet si Kriza Financiare aktuale, por do të rikthejnë agresivisht “Krizën Millosheviçiane” në Ballkanin Perëndimor.
...