E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jemi pa opozitë, por mazhoranca do të vazhdojë punën drejt integrimit të Shqipërisë”

Edhe PR dënon qëndrimin e dyshimtë të opozitës

Partia Republikane kritikoi dje qëndrimin e opozitës, e cila ka filluar të bëjë politikë rrugaçërore, duke tentuar të ndërpresë perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE. Nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli, deklaron se vendi është pa opozitë, por kjo nuk do ta pengojë punën e qeverisë për ta afruar Shqipërinë me familjen e madhe evropiane.  
“Shqipëria është aktualisht i vetmi vend i Evropës pa një opozitë institucionale. Mungesa e funksionimit të institucionit të opozitës nuk përbën ndonjë dëm ndaj mazhorancës, por dëmton drejtpërdrejt interesat e mbarë vendit. Mazhoranca në Parlament për periudhën shtator- tetor 2009 ka miratuar 42 ligje, duke qenë kështu periudha më produktive e Parlamentit e krahasuar me të njëjtën periudhë të katër viteve të kaluara. Kjo do të thotë se institucionet funksionojnë edhe pa opozitën, por mosfunksionimi institucional i opozitës i sjell një dëm të madh klimës politike në vend duke dëmtuar në këtë mënyrë imazhin e vendit”, u shpreh Garuli.
Sipas tij, në situatën aktuale që është vendi ynë, sjellja kryeneçe dhe e paargumentuar e opozitës ngadalëson proceset e integrimit, duke dëmtuar në këtë mënyrë interesat e çdo shqiptari, sigurisht edhe të atyre që më 28 Qershor votuan PS.
“Mosfunksionimi i opozitës, ndër të tjera, mohon alternativën e mendimit ndryshe që është element i domosdoshëm në zhvillimet demokratike. Mendimi ndryshe nuk mund të shprehet nga rruga, aty nuk ka vlerë. Shqiptarët, të cilët votuan për mendimin ndryshe nuk mund të përfaqësohen nga mitingjet në rrugë, në këtë mënyrë vota e tyre fyhet dhe keqpërdoret. Vota e tyre nuk bëhet e vlefshme me thirrje patetike pa argument, por në institucione”, deklaroi Garuli.
Ai vuri në dukje se mungesa e përfaqësimit të këtyre votuesve në parlament është abuzimi më i madh që mund të bëhet me votën e tyre. “Kjo do të thotë që në emër të mbrojtjes së votës, t’u mohosh votën rreth 40 për qind të shqiptarëve, të cilët votuan për një alternativë ndryshe, që nuk e shohin të përfaqësuar”, tha ai.
Lidhur me pretekstet e palogjikshme, si hapja e kutive, Garuli tha se kjo tashmë është një lojë e vjetruar. “Loja me kutitë, tashmë është një lojë e vjetëruar. Thirrja ‘hapni kutitë’ mbetet një thirrje në erë. Kush duhet t’i hapë kutitë? Cilat kuti duhen hapur?  Çfarë argumentesh ka për çdo kuti që duhet hapur? Ndërkohë që vetë komisionerët e PS votuan unanimisht për mbylljen e këtyre kutive. Këto thirrje pa adresë dhe pa argument i ngjasojnë një lëvizjeje revolucionare që kërkon që shteti të funksionojë në rrugë. Këto thirrje nga rruga, kaq të pa argumentuara, që u drejtohen shqiptarëve, i fyejnë ata në qytetarinë e tyre”, deklaroi më tej, nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli.
Në përfundim, Partia Republikane i bën thirrje opozitës që të funksionojë si institucion, për të mos e lënë Shqipërinë të vetmin vend në Evropë pa opozitë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›