“PS po sakrifikon interesin e qytetarëve, për axhendën personale të Edi Ramës”

LSI dënon thirrjet radikale të opozitës. Dëmtojnë integrimin dhe lëvizjen e lirë në BE
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje zyrtarisht ndaj thirrjeve të Edi Ramës dhe ndjekësve të tij, për përshtjellim të situatës politike në vend, duke cenuar rëndë stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Nënkryetari i LSI Edmond Haxhinasto, deklaroi se thirrje të tilla, anakronike të Ramës, shkojnë në kah të kundërt me përpjekjet kombëtare të qeverisë dhe politikës, në realizimin e lëvizjes së lirë dhe marrjen e statusit kandidat.
“Dua të shpreh keqardhjen për thirrjet për radikalizim që po dëgjohen nga tribunat e protestave të opozitës. Është vërtetë për të ardhur keq, që thirrje të tilla të dëshpëruara e anakronike, rrjedhin në kah krejtësisht të kundërt me përpjekjet kombëtare të gjithë politikës për të realizuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat”, u shpreh Haxhinasto.
Sipas tij, opozita aktuale dhe lidershipi i saj kanë humbur sensin e realitetit, ndjeshmërinë politike të nevojave që kanë qytetarët e këtij vendi për më shumë punësim, arsimim, shërbim shëndetësor e përkujdesje sociale.
“Qëndrimet kokëforta irracionale, jashtë-institucionale, e antiintegruese të opozitës, tregojnë qartë se kauzat kombëtare integruese dhe se shërbimi ndaj qytetarëve, që deri dje ishte lajtmotivi i të ashtuquajturës “politike e re”, po sakrifikohen për hir të axhendave personale të lidershipit të saj”, tha nënkryetari i LSI-së, Haxhinasto.
Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të tjerë të opozitës se, duhet të reflektojnë në bazë të premtimit që i kanë bërë elektoratit, duke ngritur në piedestal si lajtmotiv, integrimin e Shqipërisë.
“Në emër të LSI i bëjmë thirrje opozitës socialiste dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur të reflektojnë dhe të kujtojnë se premtimi që i kanë bërë shqiptarëve më 28 qershor ishte integrimi në Evropë dhe lëvizja e lirë, dhe jo mitingjet kundër këtij integrimi”, nënvizoi Edmond Haxhinasto, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.