Tirana duhet të çlirohet nga klika uzurpuese e Edi Ramës dhe e klaneve të ndërtimit

Trualli në qendër të Tiranës, kryekëshilltari demokrat Ferdinand Poni akuzon Shalësin e Edvinit se po mbron interesat e personave që shkelin ligjin
Bashkia e Tiranës dhe Edi Rama, pasi humbën mundësinë për të shfrytëzuar në mënyrë dashakeqe dhe klienteliste një hapësirë publike, ende vazhdon të sulmojë Ministrinë që, ia hoqi nga duart këtë të “drejtë” korruptive. Tentativat për ta parcelizuar atë, ndërmjet Kokëdhimës, Fidelit dhe Dulakëve, dështuan përfundimisht dhe mesa duket Edvini është nën presionin e këtyre të fundit, porsa kohë i dështoi plani dhe njëherazi i duhet tu kthejë gjobën standarde, për çdo leje ndërtimi, që do të thotë 15 përqindëshi. Konflikti i fundit, për truallin në qendër të Tiranës, vazhdoi dhe dje me replika në të dyja kampet, ku pas deputetit socialist Eduart Shalsi, ka reaguar zëvendësministri i Brendshëm dhe këshilltar i PD në këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni.
Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të deputetit socialist, Poni deklaroi se mbi gjithçka, Shalsi ka vënë interesat abuzive të grupit të personave që qëndrojnë mbi ligjin.
Poni theksoi se Tirana duhet të çlirohet nga klika uzurpuese e Edi Ramës.
“Ligji dhe institucionet e tij duhet të zbatohen në mënyrë korrekte dhe Tirana duhet të çlirohet nga klika uzurpuese e Edi Ramës, e cila turpësisht vihet 24 orë në 24 në shërbim të klaneve të ndërtimit”, u shpreh Poni për mediat.
Poni hodhi poshtë pretendimet e Bashkisë së kryeqytetit se ka leje ndërtimi për një objekt në kryqëzimin midis Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. Këshilltari demokrat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha se, pronësia e asaj toke është shtetërore dhe lidhur me këtë fakt, Bashkia nuk ka të drejtë të planifikojë leje ndërtimi.
Sipas Ponit, me veprimin e Ministrisë së Punëve Publike dhe të vetë ministrit Sokol Olldashi, u shpëtua një hapësirë e konsiderueshme toke në qendër të Tiranës, që, tani e tutje do të jetë në shërbim të komunitetit.
“Bashkia e Tiranës nuk ndalet para asgjëje, as nga fakti që nuk ka pronësi mbi tokën, pasi ajo është shtetërore dhe as nga fakti që në mënyrë të paturpshme thuhet se ka leje ndërtimi, kur nuk ka. Gjithçka është planifikuar aty, është rrjedhojë e aferave abuzive dhe klienteliste të Edi Ramës”, deklaroi Poni.
Pak ditë më parë, Ministria e Punëve Publike nisi një aksion për sistemimin e një grope-truall, e cila ndodhet ndërmjet rrugës së Durrësit dhe Kavajës. Menjëherë pas këtij aksioni, me synim kthimin e kësaj hapësirë toke shtetërore, në një lulishte dhe ambient argëtues për qytetarët, reagoi bashkia e Tiranës, e cila si çdo herë nuk ngurron që ta kthejë atë, në një ambient të betonizuar, duke fshehur një korrupsion shumëkatësh.
Tendencat e Edi Ramës, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë dhe ministrisë, për t’ua kthyer qytetarëve atë pronë shtetërore, është e dukshme, ai nuk i ndahet parcelizimit të Tiranës, ndërmjet Kokëdhimës, Leskajve dhe Dulakëve.