Fakti/PS rrezikon të mos ekzistojë në kuvend. Deputetët e Edvinit në panik për mandatet
Deputetët e PS që pritet të thyejnë bojkotin e parlamentit, një vendim ky që ishte personal dhe i bazuar në interesa klanore të kryesocialistit Edi Rama, do të jenë më i madh se 5-së. Paralajmërimet e fundit në media të 5-së deputetëve socialistë, të cilët ende nuk kanë kryer aktin kushtetues, atë të betimit në parlament, duket se do të gjejë mbështetje të gjerë në radhët e socialistëve, të cilët jo vetëm nuk njihen si deputetë, apo përfaqësues të popullit, por rrezikojnë edhe humbjen e mandatit, nëse shkelin afatet kushtetuese të mos prezencës në Kuvend. Në bazë të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, shpjegohen qartësisht rastet kur ndërpritet mandati i deputetit dhe bojkoti përtej afateve kushtetuese çon automatikisht në ndërprerjen e mandatit. Ndërsa, duke iu referuar Kushtetutës e pikërisht nenit 71 të saj, ku thuhet se, “mandati i deputetit përfundon apo është i pavlefshëm kur ai nuk bën betimin apo heq dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës në Kuvend”.
Në këtë rast të tillë, lista e deputetëve zëvendësues zhvendoset në drejtim të partive të koalicionit përbërës, në bazë të votave të mbledhura në rang qarku. Pas paralajmërimit zyrtar të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli për pavlefshmërinë e mandateve të ligjvënësve socialistë, nëse shkelen afatet kushtetuese, të njëjtin konstatim jep edhe ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.
Ai u shpreh se 64 mandatet parlamentare të Partisë Socialiste, mund të ndërpriten dhe të zëvendësohen me emrat pasardhës në listën e koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”, prej 5 partish, të kryesuara nga PS. Kume theksoi se kjo është njëra nga rrugët ligjore për të zënë vendet bosh në sallën e Kuvendit. Por, Kume pranon se Kodi Elektoral ka hapësira për interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Kësisoj, Kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, përcakton ndërprerjen e mandatit, kur deputeti nuk merr pjesë në seancë për 6 muaj rresht.
Nga ana tjetër, socialisti Damian Gjiknuri, pa baza dhe të pa faktuara Kushtetueshmërisht tha se mandatet nuk mund të ndërpriten, pasi asnjë prej deputetëve opozitare nuk ka bërë betimin, për ta bërë të vlefshëm atë dhe për ta marrë më pas këtë moment si referim për të nisur llogaritjen e mungesës 6 mujore.
Në këtë kuadër, deputetët e Edvinit, ata më hispanikët, e arsyetojnë mos djegien e mandatit, me faktin e ende nuk kanë kryer detyrimin kushtetues, atë të betimit në parlament, pavarësisht se mandati i tyre është certifikuar nga KQZ në nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, paralajmëroi dy ditë më parë se pasi të kenë përfunduar të gjitha afatet kushtetuese, do t’i drejtohet KQZ për të zëvendësuar deputetët, të cilëve iu digjet mandati për shkak të mosparaqitjes në kuvend. Këtë deklaratë Kryeparlamentarja Topalli e ka bërë gjatë emisionit Ora e Debatit. Kryeparlamentarja bën me dije se porsa i takon bojkotit të tejzgjatur të opozitës, do të respektohet Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
Ndërkohë, lidhur me këtë deklaratë të Topallit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani, në sinkron me kryetaren e Kuvendit, deklaron se do zbatohet ajo që parashikon ligji, sipas formulës: Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse; KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
Në këtë rast kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë.