Presidenti, Krasniqi: Ndryshimet në Parlament, kur të ketë vullnet politik

Ndryshimet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Presidentit do të marrin jetë në Parlament vetëm atëherë kur partitë politike të jenë gati për një proces të tillë. Kështu ka deklaruar kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Duke mbetur të kryefjala e zhvillimeve të fundit në Kosovë, përmbyllja e pavarësisë së mbikqyrur, Krasniqi vlerësoi se ky proces historik nuk ka ndikuar shumë në punën e Kuvendit, për faktin se, siç tha ai, gjithnjë vendimet e mëdha janë marrë me shumicë votash.
“Unë mund të them se Kuvendi i Kosovës si institucion ka qenë i pavarur gjatë gjithë këtyre dy mandateve të fundit”, tha Krasniqi.
Sa i përket cështjes së veriut kryeparlamentari kosovar u shpreh se nuk mund të ketë plan më të mirë për integrimin e veriut se ai i Ahtisarit, duke shtuar se tani përgjegjësinë kryesore për veriun e kanë institucionet e Kosovës. Megjithatë, Krasniqi tha se çdo veprim në këtë pjesë do të jetë në koordinim me faktorin ndërkombëtar, prezent në Kosovë.
“Unë jam i bindur që projektin Kosova e ka dhe projekt më të mirë për komunitetet nuk ka as në rajon, as në vendet e BE-së, dhe është një dokument gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i njohur si Plani Ahtisari”, tha Krasniqi.
Kreu i legjislativit i bëri këto komente pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u mor vendimi që të enjten të mbahet seanca e rregullt, ndërsa të hënën të mbahet seancë me debat parlamentar, me kërkesës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.