E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, Mediu: PR në një linjë me PD, Nano: Takimi me Berishën, me rëndësi

TIRANE – Ish-kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në kuadër të turit të takimeve me krerët e partive parlamentare për të siguruar mbështetje për kandidaturën e tij për president.

Nano: Takimi me Berishën, me rëndësi
Ora: 14:50 - Në përfundim të takimit, ish-kryeministri Nano deklaroi për mediat se takimi me kreun e PR-së ishte një “vlerë e shtuar në procesin publik të konsultimeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit”.

“Falenderova zotin Mediu për vlerësimet e tij. Patëm mundësi të shkëmbejmë argumente për nevojën e një zgjidhje të çështjes me parametrat që përputhen me integritetin e Presidentit të Republikës.”- vijoi më tej Nano.

Më tej kandidati i vetëshpallur për President theksoi rëndësinë e takimit me kryeministrin Berisha, që do të përmbyllë edhe turin e takimeve të tij me krerët e partive parlamentare, të cilëve do tu parashtrojë platformën e tij.

“Po i afrohem takimit me kryeminsitrin që padyshim ka një rëndësi për konsultimet e mia. Kryeministri ka një rol specifik për konsensusin e nevojshëm.”- deklaroi Nano.

Mediu: Nano ka vlera, diskutim brenda mazhorancës 
Ora 14:38- Menjëherë pas takimit me ish-liderin e së majtës, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh se forca që ai drejton do të jetë në një linjë me maxhorancën qeverisëse për sa i përket emrit të presidentit të ri të vendit, ndërsa nuk kurseu vlerësimet për figurën politike të Fatos Nanos.

“Posti është i rëndësishëm. Nano më shfaqi projektin e tij. Në vlerësim të të gjitha kandidaturave qendrimi ynë lidhet me qendrimin brenda mazhorancës. Duhet të bisedojmë për kandidaturat” ,tha ai.

Mediu u shpreh më tej se, Nano përfaqëson një figurë me vlera në politikën shqiptare dhe se “Komunikimi dhe dialogu politk është mëse i nevojshëm në këtë process”.

Mediu shtoi më tej se, zgjedhja e presidentit nuk duhet të jetë vetëm proces i politikës. “Kandidatët të debatonin me njëri-tjetrin që politka të zgjedhë”, shtoi ai.

Nano takohet me Mediun
Ora 13:34- Ish-kryeministri Fatos Nano takoi sot rreth orës 13:30, në hotel Tirana kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, të cilit do t’i prezantojë platformën e tij.
Pas turit të takimeve me krerët e partive parlamentare për të mbështetur kandidaturën e tij për president, Fatos Nano mbetet një kandidaturë e mirëpritur edhe nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu.

Kreu i republikanëve ka konfirmuar dje në emisionin “Arena” se nuk e ka përjashtuar votimin e kandidaturës së tij në garën presidenciale. Të njëjtin qëndrim Mediu e shprehu edhe më herët në një prononcim të dhënë për mediat gjatë paradites. “Patjetër që do ta takoj zotin Nano. Unë kam qenë për dialogun politik, është mëse i domosdoshëm, sidomos për çështjet e interesit kombëtar. Unë besoj një President që do të vijë si fryt i diskutimeve dhe debateve brenda forcave politike dhe një vendimmarrjeje që qartësisht duhet të jetë kushtetuese mbas një fryme diskutimi konstruktiv”, - u shpreh Mediu.

Ish-kryeministri Nano është vetëshpallur kandidat për postin e presidentit. Ai ka zhvilluar takime me kreun e LSI, Ilir Meta kreun e PS-së Edi Rama, kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule. Ditët në vijim pritet edhe takimi i Nanos me kryeministrin Berisha. 

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›