E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në sytë e fotografit spanjoll

Ai është një vëzhgues i kujdesshëm. Kështu edhe është cilësuar në fakt. Quhet Jordi Socias. Është spanjoll, fotograf autodidakt, i cili për më shumë se tri dekada nëpërmjet aparatit të tij fotografik dhe vështrimit personal, ka përcjellë ndryshimet e vendit të tij. Fotograf, por edhe disenjator grafik, ai vjen nesër në Tiranë, nëpërmjet një ekspozite fotografike, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 nëntor. Janë 120 imazhet më përfaqësuese të veprimtarisë së tij, të cilat para disa kohësh i ka përmbledhur në një libër të titulluar "Maremágnum". U përkasin viteve 1973-2005. Ato vijnë si një homazh i merituar i një gjenerate spanjollësh, e cila ishte protagoniste e transformimit social, politik e kulturor të Spanjës. Fotografi Jordi Socias, më mirë se kushdo ka ditur të fotografojë shoqërinë spanjolle të 30 viteve të fundit, duke përcjellë ndryshimet e vendit të tij. Për të, "fotografia është e shqetësuar në lidhje me kinemanë, sepse ajo është kryesisht trillim në lëvizje, ndërsa fotografia është një realitet i ndalur në kohë përgjithmonë". Një realitet i ndalur në kohë që, veçanërisht kur kap një moment, një ngjarje historike, një personazh preferencial apo të përditshmen e një epoke, mund të simbolizojë dhe të na bëjë të jetojmë një epokë, të ngrijë përjetësinë e një momenti dhe ta bëjë të jetojë përsëri bashkë me kohën kur u kap. Rrallë mund të gjesh dokumentime fotografike më të plota se ato të realizuara nëpërmjet Jordi Socias. Ka njerëz që prej asgjësë arrijnë absoluten, personazhe që janë krijuar vetë me shumë pak mundësi në dispozicion. Kanë vetëm talentin dhe këmbënguljen, të tjerat i kanë të gjitha kundra. Jordi Socias është njëri prej tyre. Ai lindi në vitin kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore (1945) në Barcelonë, në gjirin e një familjeje laike punëtore dhe republikane. Nga shkolla e rrugës i mbeti një vështrim mirëkuptues dhe i kthjellët ndaj njerëzve dhe vendeve të saj. I mbeti gjithashtu edhe një aftësi e shkëlqyer për të shijuar edhe gjërat më të vogla të jetës. Në fund të fundit ai që është rritur rrugëve dhe trotuareve, në qiell të hapur, ndërmjet lokaleve të lagjes e lojërave të futbollit është në gjendje të çmojë atë që të tjerët nuk e vlerësojnë: që nga aroma dhe shija e një cigareje, miqësia solidare në kohë krize, deri edhe te një biletë e lirë në kinemanë e lagjes. Kohë më vonë do të niste kontakti i parë me kulturën, dhe ai ishte autodidakt. Nisi ashtu papritmas, me bisedat nëpër kafene, me dashuritë e para, bindjet politike apo nëpërmjet udhëtimeve nëpër rrugët dytësore si shitësi i orëve të lira. Me fotografinë u njoh nëpërmjet një kursi me korrespondencë. Edhe një herë mësoi autodidakt. Në atë kohë tashmë kishte vizituar Parisin dhe e dinte mirë se çdo të thoshte jeta në liri, simbolet komuniste, kioskat me revista të pacensuruara, kinematë me filma të ndaluar, libraritë pa dhomë të pasme, sensualitetin e vështrimit... E ndoshta aty për aty vendosi ç‘do të ndodhte me jetën e tij, imagjinoi se çfarë do t‘i sillte e ardhmja. Ekspozita përbëhet nga 78 fotografi që tregojnë momentet kyçe të shoqërisë spanjolle, imazhe të jetës së përditshme dhe një sërë portretesh të personaliteteve të rëndësishme të kulturës europiane të katër dekadave të fundit.

Veprimtaria, e cila organizohet në kuadër të Vjeshtës Kulturore Spanjolle "Shqipëria 2009", vjen si një retrospektivë mbi tridhjetë vitet e fundit të punës së Jordi Socias. Janë imazhe në teknikën bardhezi dhe me ngjyra, të kontrolluara dhe të përzgjedhura nga vetë artisti. Ato vijnë si një përballje mes ndryshimeve dhe momenteve historike nëpërmjet të cilave ka kaluar Spanja, por nëpërmjet të cilave po kalon edhe Shqipëria ndërsa përjeton proceset e tranzicionit demokratik. Imazhet e Socias nënkuptojnë një udhëtim nëpër momentet dhe personazhet kyçë të metamorfozës së eksperimentuar nga shoqëria spanjolle. Ekspozita përmban gjithashtu një grup imazhesh që autori i përkufizon si "Situata të gjetura", si dhe imazhe të përditshme të qyteteve si Santiago de Kuba, Pekin, Londër, Barcelonë, Amsterdam etj., si dhe një galeri e gjerë portretesh në të cilat Jordi Socias ka ofruar vizionin e vet personal mbi një numër të rëndësishëm personalitetesh çelës për të kuptuar kulturën spanjolle dhe europiane të katër dekadave të fundit. Mes tyre gjendet Salvador Dalí, Jorge Luis Borges, Leonardo Sciascia, Graham Green, Paul Bocusse, Vittorio Gassman, Alberto Moravia, Bernardo Bertolucci, etj. Autodidakt, intuitiv, krijues i një stili personal të trashëguar nga fotografët e mëdhenj, Socias filloi punën si reporter në fillim të viteve ‘70, duke publikuar fotografitë e tij në revista të ndryshme. Pionier në dizajnimin grafik, puna e tij si editor në Cambio 16 pati një influencë të madhe në këndvështrimin fotografik të publikimeve spanjolle të kohës.

Në vitin 1979 themelon agjencinë "Cover" dhe i jep një koncept të ri kulturës së imazhit të gazetarisë spanjolle. Ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme, ekspozita (individuale dhe kolektive), libra, katalogë artesh, disqe, filmime dhe postera. Ekspozita, e cila do të çelet nesër pasdite në Galerinë e Arteve të Tiranës, do të shoqërohet nga katalogu "Maremagnum, Jordi Socías 1973-2005", një kronologji e ilustruar e punëve të tij deri tani.

Ekspozita

Autori i përkufizon një grup imazhesh si "Situata të gjetura". Ato janë imazhe të përditshme të qyteteve si Santiago de Kuba, Pekin, Londër, Barcelonë, Amsterdam etj., si dhe një galeri e gjerë portretesh mbi një numër të rëndësishëm personalitetesh çelës për të kuptuar kulturën spanjolle dhe europiane të katër dekadave të fundit. Mes tyre gjendet Salvador Dalí, Jorge Luis Borges, Leonardo Sciascia, Graham Green, Paul Bocusse, Vittorio Gassman, Alberto Moravia, Bernardo Bertolucci etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›