Presidenti Moisiu, pritje të veçantë për kampionin Kreshnik Qato

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu priti në një takim të vecantë, boksierin shqiptar kampion të botës në peshën super të mesme të kategorisë IBC, Kreshnik Qato, durrsakun që banon në Londër.
Ambasadori i Shqipërisë
Sipas një njoftimi të Zyrës së Shtypit pranë Presidentit, zoti Moisiu vlerësoi lart arritjet e deritanishme të boksierit Qato në këtë sport sa të vështirë, aq dhe emocionues dhe vuri në dukje se këto rezultate janë një tregues i vullnetit të gjithanshëm, disiplinës së fortë dhe dëshirës për të përfaqësuar denjësisht kombin në arenën sportive ndërkombëtare. "Ju, keni kryer detyrën e një ambasadori të vendit me anë të këtyre vlerave të mëdha, duke ngjallur ndjenjën e krenarisë dhe duke u bërë burim frymëzimi për të rinjtë adhurues të boksit profesionist", - u shpreh Presidenti.
Angazhimi i presidentit Moisiu
Zoti Moisiu shprehu angazhimin dhe mbështetjen e shtetit shqiptar për të krijuar kushtet e duhura për ato fusha sportive me traditë e arritje në vendin tonë. Duke shprehur konsideratën për pritjen e ofruar nga Presidenti Moisiu, boksieri Qato e informoi Kreun e Shtetit për punën, stërvitjen e disa nga vështirësitë e hasura në rrugën e boksit profesionist, si dhe për planet më të afërta në karrierën e tij sportive.
Kontrata me "Hyldon Bullit Energy Drink"
Ditën e mërkurë boksieri durrsak, kampioni i botës në peshën super të mesme Kreshnik Qato, që ndeshet prej vitesh në ringun britanik, nënshkroi dje një kontratë njëvjecare me kompaninë "Hyldon Bullit Energy Drink" që do të mbështesë Qaton në të gjitha aktivitetet sportive si, në udhëtime, akomodim, ring.
Qato, i nënti në Europë.
Durrsaku 27-vjecar, që jeton në Uembli, ka zhviluar në total 16 ndeshje zyrtare në peshën lehtë (Light Heavyëeight) dhe ka arritur të fitojë 10 takime, 2 prej të cilave me "nok aut", ndërkohë që ka regjistruar 6 humbje. Qato renditet në vend të nëntë në Europë dhe në të 19-in në botë. Ndeshjen e fundit, të zhvilluar më 2 prill 2006, në "York Hall" kundër Laurent Goury, boksieri ynë e fitoi me pikë. Qato ka fituar pesë ndeshjet e fundit.
Franc Hoxha