E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani: Dëshiroj mbarësi për të gjithë procesin

24-06-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe i biri Ersilio, votoi paraditen e djeshme në Qendrën e Votimit 1766/2 të Njësisë Bashkiake Nr. 3, e vendosur në shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë. Pas votimit, Presidenti Nishani iu përgjigj interesimit të mediave për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ai theksoi se, dita e votimit është dita e qytetarëve të shprehin të lirë vullnetin e tyre. “Së pari, unë dëshiroj që t’u uroj një ditë të mbarë të gjithë shqiptarëve! Dëshiroj mbarësi për të gjithë procesin! Sot, është një ditë shumë e rëndësishme, sot është tërësisht dita e qytetarëve. Unë jam i bindur, që shqiptarët do të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile, duke demonstruar një pjesëmarrje sa më të gjerë në procesin e votimit, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, duke respektuar komisionerët dhe administratën zgjedhore, të cilët kanë dhe detyrën më delikate në ditën e sotme, duke respektuar mbajtjen e rendit në të gjithë vendin dhe veçanërisht në qendrat e votimit. Një urim të veçantë, unë të desha të bëj për ata, të cilët votojnë për herë të parë, pasi edhe ne në familje kemi një pjesëtar të familjes, djalin tonë që voton për herë të parë sot, ndaj i dërgoj një përshëndetje të përzemërt të gjithë atyre të rinjve, që sot votojnë për herë të parë dhe paçin dorën e mbarë për fatet e vendit”, tha Nishani. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë me maturi dhe përgjegjësi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›