Presidenti Nishani, merr mesazhe urimi nga krerë shtetesh e qeverish të ndryshme

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka marrë mesazhe urimi nga krerë shtetesh e qeverish të vendeve të ndryshme të botës.
Një mesazh urimi, Presidenti Nishani e ka marrë nga Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, i cili shprehet se, “për këtë përvjetor, i cili përbën një pikë kthese në historinë e popullit mik shqiptar, ju shpreh urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta personale, si dhe urimet e popullit grek”.
“Njëkohësisht, dëshiroj t’ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë për të çuar përpara marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për të mbështetur përpjekjet që po bën vendi juaj në rrugën e tij për të bërë realitet perspektivën e vet evropiane”, thekson Papoulias.
Ndërsa Guvernatorja e Përgjithshme e Australisë, Quentin Bryce, tha se, “kam kënaqësinë t’ju përcjell juve, qeverisë dhe popullit shqiptar, urimet më të ngrohta, duke ju uruar 100-vjetorin e Pavarësisë”.
“Viti i kaluar ka qenë me shumë progres në forcimin e marrëdhënieve tona. Komuniteti shqiptar i Australisë ka mbështetur këtë axhendë, ndërkohë që jam veçanërisht e gëzuar për vizitën në gusht të Ministrit të Jashtëm Panariti në Australi dhe Sekretarit të Parlamentit australian, Marles në Shqipëri në prill. Tashmë ne jemi duke zgjeruar marrëdhëniet tona në investime, turizëm, etj”, thekson Bryce.
Guvernatorja Bryce shprehet se, “qeveria australiane beson se sfidat globale si klima, zhvillimi ndërkombëtar dhe çarmatimi kërkojnë zgjidhje të gjera. Kombet e Bashkuara, si institucione multilaterale sigurojnë mënyrat më të mira për zgjidhjet e duhura. Me këtë rast shpreh dhe besimin tim se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona do të vazhdojnë të forcohen në vitin tjetër”.