E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani përuron zyrën e aplikimit për pasaportave biometrike në New York

28-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i shtetit: “Arritje të institucioneve të shtetit shqiptar”

Përurohet në Nju Jork zyra e aplikimit të pasaportave biometrike. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Presidenti i Republikës, Bujari Nishani, i shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Dritan Mishto, Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve, zoti Michael Granoff dhe Drejtori i Kompanisë “Aleat”, zoti Alain Jouan.

Në hyrje të Konsullatës, Kryetarin e Shtetit e pritën emigrantë shqiptarë, të cilët e uruan për suksesin e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngrohtësinë e treguar ndaj bashkësisë shqiptare.

Në ceremoninë e fillimit të procesit të aplikimit për pasaportë biometrike, Presidenti Nishani e vlerësoi këtë projekt si arritje të institucioneve të shtetit shqiptar dhe shprehje e kujdesit të vazhdueshëm ndaj emigrantëve tanë kudo ata jetojnë.

I ftuar në këtë përurim, Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve, zoti Michael Granoff shprehu vlerësimin e tij për cilësinë e dokumentave të prodhuara dhe shërbimin cilësor që do t’u ofrohet shtetasve shqiptarë.

Më pas Konsulli i Përgjithshëm, Dritan Mishto e njohu Presidentin Nishani dhe të ftuarit me procedurën dhe sistemin e aplikimit, interesimin e emigrantëve për të aplikuar duke shprehur bindjen se me këtë shërbim qeveria shqiptare përmbush një nga detyrimet themelore në ndihmë të bashkësisë shqiptare.

Zyra e aplikimit për pasaportat biometrike në New York u përurua dhe është në vazhdën e ofrimit të këtij shërbimi edhe për emigrantët shqiptarë në Itali dhe në Greqi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›