E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani takim me Reeker permbyll viziten ne SHBA

Takim me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Philipp Reeker përmbylli dhe agjendën e vizitës njëjavore e Presidentit Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. 
Presidenti Nishani shprehu keqardhjen për sulmin ndaj selisë diplomatike amerikane në Libi, ku mbetën të vrarë Ambasadori amerikan atje, Chris Stevens, së bashku me një funksionar dhe dy marinsa. 
Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që SHBA-të kanë dhënë për demokratizimin e vendit. Kryetari i Shtetit dhe Zëvendësndihmës Sekretari Reeker diskutuan mbi çështjet e zhvillimeve të brendshme në Shqipëri dhe në rajon. 
Kreu i Shtetit u fokusua tek reformat në sistemin e drejtësisë si një nga sfidat kryesore, me të cilat përballet shoqëria dhe institucionet shqiptare, duke e informuar zyrtarin amerikan mbi platformën e  tij për kthimin e besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë. 
Duke u ndalur në këtë çështje, Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philipp Reeker theksoi rëndësinë e kontributit dhe angazhimit konkret të Presidentit të Republikës për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e shtetit ligjor. 

Po sot Presidenti Nishani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i cili e përgëzoi Presidentin Nishani për zgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shprehu vlerësime për kontributin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë për angazhimin konkret të saj në procesin e reformës së OKB-së.

Ban Ki Moon e përgëzoi Presidentin për organizimin e suksesshëm në Tiranë të Konferencës mbi procesin "Një OKB" dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit dinamik të Shqipërisë në këtë proces.

Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon vlerësoi zhvillimet në Shqipëri duke e cilësuar vendin modern dhe me përparim të shpejtë.

Ban Ki Moon e falenderoi Presidentin Nishani për rolin moderues që Shqipëria luan në rajon dhe e inkurajoi të vazhdojë në këtë drejtim.

Presidenti i Republikës e uroi Sekretarin e Përgjithshëm për mandatin e dytë në detyrë dhe e siguroi për mbështetjen e parezervë të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit vlerësoi lart mënyrën me të cilën Sekretari i Përgjithshëm drejton organizatën universale dhe rolin e veçantë që ai ka luajtur në disa nga çështjet më të rëndësishme të agjendës ndërkombëtare, si lufta kundër varfërisë, mbështetja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore.

Presidenti Nishani vlerësoi qëndrimin koherent të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën.

Presidenti i Republikës e ftoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për një vizitë në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›