E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia e emertimit te rruges Janos Hunyadi

U organizua sot ceremonia për përurimin e rrugës që do të mbajë emrin e heroit kombëtar të Hungarisë “Janos Hunyadi”. Kështu, një nga rrugët e kryeqytetit do të mbajë këtë emër, veprim i cili do te pasohet me vendosjen  e shtatores së heroit tonë kombëtar, në një nga sheshet kryesore të Budapestit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, zv/Kryetari i Bashkisë së Budapestit Miklós Csomós, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve z. Aldo Bumçi, ambasadori i Hungarisë në vendin tonë, historianë e qytetarë të Tiranës. Për Kryetarin e Bashkisë Lulzim Basha, vendosja e emrit të heroit kombëtar të Hungarisë në Tiranë është një moment për të festuar me krenari miqësinë e vjetër mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe sukseset e së ardhmes.  
“Për dy qytetet tona, domethënia e këtij akti përkthehet në një marrëdhënie më të ngushtë, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Ne mund, duhet dhe do mësojmë nga përvojat e Budapestit, këtij qyteti të lashtë, të madh dhe të bukur të Evropës Qendrore, në sfida të përditshme që nga menaxhimi i trafikut, transporti publik, planifikimi urban e shërbime të tjera dhe po kështu presim që investitorët e Budapestit, të jenë më të pranishëm në Tiranë, në të gjithë sektorët e ekonomisë së qytetit tonë, për të siguruar një dinamikë më të madhe të marrëdhënieve ekonomike, që pa dyshim shndërrohet në vlera ekonomike dhe në punësim”  - u shpreh Kreu i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha. 
Përveç statujës së Skënderbeut në Budapest, do të emërtohet shumë shpejt në distriktin 12 të Budapestit, sheshi me emrin “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›