E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Pacolli Zgjedhja ime kushtetuese

Presidenti Pacolli u është përgjigjur për herë të parë akuzave të opozitës se ai është zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese. Ai tha se është i gatshëm të ballafaqohen me një proces të Gjykatës Kushtetuese për këtë rast, por u shpreh i bindur se zgjedhja e tij ka qenë konform Kushtetutës.
 
“Komenti im është se unë jam zgjedh me 90% të deputetëve të Kosovës... Unë përfaqësoj, do të përfaqësoj unitetin e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Behgjet Pacolli, President i Kosovës.
 
Partitë opozitare po vazhdojnë konsultat në mes tyre për të dërguar çështjen e presidentit në Gjykatën Kushtetuese, pasi konsiderojnë se është bërë shkelje e Kushtetutës gjatë votimit për President, pasi në sallë sipas tyre nuk kanë qenë 80 deputetë, sa janë nevojitur për t’u zgjedhur President në raundin e parë dhe të dytë të votimit. Në sallë gjatë votimit për President kanë qenë të pranishëm 67 deputetë. 

Ndërkohë, në takimin e parë mes tyre Presidenti Pacolli dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj kanë diskutuar për strategjinë e re lobuese për njohjen e Kosovës dhe kanë rënë dakorduar që të hartojnë një plan të përbashkët veprimi.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›