E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Patozi: Emrat i propozuan aleatët e PD

TIRANE-I ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi se mazhoranca ka bërë të gjithë përpjekjet për të mos e përjashtuar opozitën nga procesi i zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të ketë një president konsensual, të pranuar nga të gjitha palët. I mandatari i PD-së për të negociuar me opozitën për zgjedhjen e presidentit shprehu besim se në seancën e së mërkurës do të mund të arrihet konsensusi për kryetarin e ri të shtetit. Patozi konfirmoi se nesër në Kuvend mazhoranca do të paraqesë kandidatët e saj për postin e kreut të shtetit.
Z.Patozi, çfarë do të ndodhë nesër, do të hapet votimi për presidentin?
Jemi me gjithë motorët e ndezur të mazhorancës për t’i dhënë vendit një president dinjitoz. Mazhoranca është e përfshirë në lojën për t’i dhënë vendit një president sa më konsensual. Ndërkohë që, opozita me lëvizjet e saj është kaotike. Pra, kemi një panoramë të përmbysur. Nesër do të respektohet Kushtetuta, do të ezaurohet raundi i parë. Shpresoj që nesër të mos kemi shkrepje boshe, por të kemi një proces që mund të votohet. Pavarësisht se koha ecën shpejt, unë ende kam besim se nesër mund t’i japim vendit një president konsensual. Nuk do të jetë fundi i botës në rast se nesër nuk do të arrijmë rezultat. Jemi të detyruar të testojmë vullnetin e opozitës.
Si u arrit deri tek emrat?
Shumë e thjeshtë. Aleatët e koalicionit kanë rënë dakord që ta zgjerojnë gamën e kandidaturave, që jo domosdoshmërisht mund të jenë politike.
Është këmbëngulur gjatë nga PD-ja; pse u shtuan edhe dy fusha të tjera, diplomacia dhe drejtësia?
Zgjerimi i fushës është në funksion të procesit sa më të gjerë.
Kush e kërkoi, LSI-ja?
Jo, është kërkuar nga opozita, nga faktori ndërkombëtar dhe nga vetë media. Nuk kemi dashur në asnjë moment që ta përjashtojmë opozitën nga ky proces. Në rast se do të fillonim negociatat me opozitën me figura politike, atëherë do ta mbanin jashtë opozitën. Duam t’i heqim opozitës alibinë se po e përjashtojmë nga negociatat.
Berisha është shprehur se do të jetë kandidat njëri nga drejtuesit e PD-së. Pse kjo tërheqje, çfarë ndodhi?
Nuk ka ndodhur asgjë. Ky vendim është marrë pas shumë takimesh jo vetëm brenda LSI-së, por dhe brenda mazhorancës. Pra, ka qenë një vendim i pjekur mirë. PD gëzon të drejtën t’i japë vendit një drejtues të lartë të saj. Kjo është kërkuar nga opozita, faktorët ndërkombëtarë dhe nga shtypi. Kemi rënë dakord me aleatët që kandidaturat të mos jenë strikte politike. Ky vendim është marrë pas disa takimeve mes të gjithë përfaqësuesve të koalicionit dhe pas shumë takimeve informale. Ka qenë një vendim i pjekur mirë.
I keni votat?
Nuk ka rëndësi, por nuk ishte qëllim yni në vetvete që të provokonim opozitën. PD është forca kryesore e koalicionit dhe i takon asaj në radhë të parë që të ketë të drejtën e propozimit të parë. Kemi thënë se do të propozonin, do t’i bënim nder vendit, por nëse opozita do të bënte dhe ajo propozim, duke zgjeruar gamën, atëherë pse jo.
Sa emra janë diskutuar deri tani?
Në dijeninë time janë propozuar 5 emra. I kanë propozuar partitë e aleatëve bashkërisht. Janë hedhur disa emra, është bërë një takim i dytë. Jo të gjithë personat që janë lakuar në tryezë kanë qenë në dijeni, dhe ndaj mbetet problem i negociatave.
Si do të procedohet?
Neve na takon që pasi të finalizojmë jo vetëm kriteret, vizionin, pasi të finalizojmë dhe emrin ose emrat, ne jemi të prirur që të nisim negociatat konkrete me opozitën, sepse do të ishte e pëlqyeshme për kandidatët që firmat të vinin nga të dyja palët.
Pra, ju do të negocioni me z.Ruçi?
Do të negociojmë për t’i dhënë vendit sa më shpejt një president konsensual dhe po shkojmë drejt kësaj.
Si shpjegohet që Berisha po refuzon takimin me z.Rama?
Nuk është e domosdoshme që të takohen për rezultatet. Nuk është vendimtar niveli i përfaqësimit; ai që përcakton suksesin e negociatave. Është çështje vullneti. Unë kam pasur mandatin e plotë të PD-së për të negociuar me opozitën. Ne kemi theksuar se, nëse z.Rama ka probleme me reformat, duhet të kërkojë t’i zgjidhë në komisionet parlamentare.
Ju sakrifikuat znj.Topalli për presidente, pse mos ta bëni dhe me z.Ristani?
Ne kemi hyrë në këtë proces që t’i japim vendit një proces dinjitoz dhe jo të sakrifikojmë njerëz apo të bëjmë kurban.
Rama i ka lënë të dyja reformat. PS-ja kërkonte kreun e KQZ-së përmes Avokatit të Popullit.
Pse nuk i bëni fillimisht reformat?
Z.Rama thotë që ne të ulemi në tryezë të zgjidhim tri çështje dhe pastaj presidentin. Nuk jemi fare kategorikë. Ne nesër konsumojmë raundin e parë të zgjedhjes së presidentit.
Nuk mund të bëhen paralel?
Mund të bëhen, por reformat sa herë kanë qenë, kanë qenë 6 muaj para zgjedhjeve.
Mund të ndodhë që reformat të mbyllen para zgjedhjes së presidentit?
Mund të ndodhë në rrethana ideale, por kam përshtypjen se z.Rama nuk kërkon të përfshihet por t’i bllokojë reformat, së pari të përjashtojë Shqipërinë nga marrja e statusit të vendit kandidat.
Një rrethanë mund të ishte pas takimit Berisha-Rama?
Takimi Berisha-Rama nuk është tabu, por nuk është çështje dorështrëngimi, çështje kujtimi apo batutash. Berisha dhe Rama mund të rrinë në një hotel një muaj rresht dhe të mos merren vesh dhe mund të merren vesh pa u takuar. Ne nuk heqim dorë nga rekomandimet e ODHIR-it, së pari do të zgjidhim çështjen e KQZ-së, ankimimit apo si merren pronat e dy komisionerëve, çështjen e raportit të kryeministrit në parlament dhe kreut të opozitës. Këto mund të bëhen paralel, por lidhja apo ndërthurja është një qasje e gabuar. Sepse zgjedhja e presidentit është një gjest shumë solemn, i cili sa më konsensual të jetë aq më shumë i jep pikë Shqipërisë.
Janë një apo disa emra?
Nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ka pasur një konsensus brenda koalicionit.
Janë nga fusha e diplomacisë, apo drejtësisë?
Vendimi i aleatëve është zgjerimi i fushës. Kandidati nuk është nga politika, por nuk është çështje emri. Opozita kishte hyrë së prapthi në proces. Ne do ta ftojmë opozitën që të flasë konkretisht për presidentin; nesër është raundi i parë, që do të thotë që opozita duhet të jetë po kaq e interesuar dhe duke e ditur këtë gjë ne do t’i paraqesim opozitës kandidaturën ose kandidaturat tona që të japin konsensusin, nëse do të ketë mirëkuptimin e tyre. Në të kundërt do të kemi një konsumim të raundit.
Do t’i mblidhni nesër firmat?
Gjithçka do të varet nga mirëkuptimi i opozitës, që në daç t’i mbledhim firmat si mazhorancë apo bashkë me opozitën pak rëndësi ka, por votimi në raundin e parë do të merrte kuptim të plotë. Ky do të ishte një lajm i mirë.
Emri i kandidatit është definitiv?
Sigurisht që është definitiv, përderisa ka 73 emra nga mbrapa, pra 2 vota më shumë se shumica që i duhet për votimin. Çështja është se çfarë do të bëjë pala tjetër.
Nëse nuk futet opozita në proces, çfarë ndodh?
Atëherë bie çdo alibi e saj. Pra, del me qëllim më vete, që PS nuk ka qëndrim konstruktiv për reformat dhe presidentin, po ka qëllim më vete për të rrëzuar qeverinë. Nëse do të ketë mirëkuptimin e opozitës, votimi do të shtyhet për disa orë.
Më konfirmojnë që emri është Xhezair Zaganjori, e konfirmoni?
Nuk mund të konfirmoj asnjë emër. Unë kam mandatin që nesër të negociojmë me opozitën për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Gjithsesi, ka një dakortësi të plotë mes koalicionit për produktin.
Çfarë ndodh nëse PS-ja ju jep kundërpropozim?
Besoj se kjo nuk ndodh, por edhe nëse ndodh kjo është e mirëpritur.
Z.Dule ka propozuar z.Nano, si ju duket?
Nuk ka lidhje kjo me PS-në, është një propozim i z.Dule. Mendoj se nuk ka shanse, jo për shkakun tonë, por për shkak të PS-së. Z.Nano kishte dy probleme, që nuk do të gjente 20 firma deputetësh, por edhe sikur t’i kishte nuk do t’i kishte 71 vota për ta votuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›