E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masaker mjedisore ne Hoxhare te Fierit

Përsëritet dukuria e daljes së peshkut në sipërfaqe të kanaleve kulluese dhe vaditës në rrethin e Fierit. Këtë herë sasi të mëdha peshku të llojit qefull janë shfaqur mbi ujë në afërsi të fshatit Hoxhare e vjeter. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se në këtë kanal është hedhur një insekticid i fortë që quhet thiodan, i cili vret peshqit brenda pak minutash. me pas tonelatat me peshk të vrarë mblidhen me rrjeta dhe dërgohen për tregtim në restorante, tregje të qytetit të Fierit dhe në zonat e tjera përreth.

Të kontaktuar ne telefon drejtuesit e agjensisë së mjedisit dhe sektorit të peshkimit në drejtorinë e pyjeve thanë se nuk janë në dijeni për ngjarjen. Asnjë nga këto struktura nuk ka bërë denoncimin në polici për të hetuar. Një masakër e ngjashme ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar në afërsi të fshatit Darzezë në grykëderdhjen e kanalit të ujërave të larta. Asnjë person nuk është proceduar apo hetuar për këto shfarrosje masive të peshkut në rrethin e Fierit. Periudha në të cilën ndodhin këto ngjarje janë ato në të cilat peshku udhëton nga deti drejt ujërave të ëmbla për tu shumuar siç janë kanalet dhe kolektorët në rrethin e Fierit. Në këtë periudhe peshkimi është i ndaluar me ligj qoftë ky edhe peshkim sipas mënyrave standarde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›