E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, Patozi: Nëse PS propozonte Nanon, garonte me Nishanin

TIRANE - Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi bën publike negociatat e vështira me opozitën për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, duke shprehur keqardhjen për mos dakordësinë e kandidaturës së Bujar Nishanit. I ftuar në emisionin “Debat” të gazetarit, Alfred Peza në “Vizion +”, Patozi deklaroi mbrëmë se nëse z.Edi Rama e sillte në tavolinë emrin e Fatos Nanos, sigurisht që Nano do të garonte me kandidatin e mazhorancës.
Sa e sinqertë ka qenë PD-ja në përpjekjet e saj për të zgjedhur një president konsensual?
Besoj se kemi qenë të sinqertë dhe transparentë që në momentin që u hap procedura për zgjedhjen e presidentit.
Nuk ka bir të zotit që lind me tiparet apo karakteristikat e presidentit, por bëhet kur votohet siç e kërkon Kushtetuta dhe vetëm atëherë ka të gjitha atributet për të qenë president.
Ju e morët vesh nga mediat tërheqjen e z.Zaganjori?
Po, e kemi marrë vesh nga mediat, që do të thotë se nuk u konsultua me mbështetësit e tij para se të bënte këtë gjest, që është gjest i fortë. Por tek e fundit, dikush thotë se kjo është shenjë dobësie, dikush thotë është shenjë integriteti. Unë jam për të dyja.
Është një lloj konkluzioni që edhe z.Kuko në 2002-in nuk e përballoi dot presionin, as në 2007-ën?
Për fat të mirë po, sepse rrethanat erdhën të tilla, që ne zgjodhëm President të Republikës një politikan të sprovuar dhe një shtetar të sprovuar.
Para se të shkojmë tek politikani i sprovuar, si shkuat tek kandidatura e z.Artan Hoxha?
Ne shkuam tek Z.Hoxha me të njëjtën logjikë që kishim shkuam më parë tek z.Zaganjori. Pra, në atë buqetën e kandidaturave që ne hodhëm në tryezën e opozitës me z.Rama dhe me z.Ruçi, ne zgjodhëm të larguarin nga politika e mazhorancës, më të largëtin nga politika aktive e mazhorancës, - pasi ishin dy ministra dhe një këshilltar dhe një përfaqësues i shoqërisë civile, - dhe më të afërtin me opozitën, pasi meqë opozita ishte prirur për konsensus mund të zgjidhte ose njërin ose tjetrin. Për mua bëri shumë gabim dhe nuk dua të bëj përgjegjëse gjithë opozitën apo popullin opozitar. Ishte një gafë apo gabim i rëndë i z.Rama për gjithë rrugën që kaloi procesi dhe për të gjithë atë që arriti apo nuk arriti opozita, apo meritoi ai në fund të këtij procesi, sepse është diletanteske, është një politikë infantile që ta nisësh procesin duke ngrënë ngjala në një vend që s’ka lidhje me institucionet që zgjedhin Presidentin e Republikës dhe ta përfundosh atë si punëtor i skenës së Spiro Palit. Kjo ishte flurudha e Edi Ramës në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Këto ngjala i hëngri edhe aleati juaj...
Nuk ka kurrfarë rëndësie dhe ka bërë shumë mirë aleati ynë. Është treguar shqiptar bujar që ka pranuar në shtëpinë e tij atë që i ka trokitur në derë. “A je këtu o zoti i shpisë?”. “Po, këtu jam, me këto që kam hajde të kalojmë një natë”, - dhe e bëri shqiptarçe. Nuk jam kundër komunikimit, jam për të gjitha llojet e komunikimit, qoftë dhe me dreka dhe me ngjala. Komunikimi mes politikanëve është shenjë emancipimi. I pranoj të gjitha format në një politikë evropianiste. Por Rama e nisi mbrapsht dhe e bitisi mbrapsht; ky ishte produkti sepse e konsideroi betejë ndërsa ne i thamë që ky ishte një proces dhe do të ndiqte rrugën kushtuese, dhe ashtu ndodhi. Por Rama hyri në këtë proces për të rrëzuar qeverinë dhe jo vetëm nuk e bëri, por për shkak të tij hymë tek zgjidhja fillestare, apo tek dëshira fillestare e z.Berisha apo dhe mazhorancës, tek një figurë e spikatur politike.
E ka dorëzuar teserën e partisë z.Nishani?
Kjo ka pak rëndësi. Nëse ju e doni që ta bëjë në mënyrë simbolike, ai e bën.
Çfarë ndodhi me z.Hoxha; u bënë gati fletët e votimit por realisht, çfarë ndodhi kishte të bënte me të shkuarën e tij, apo me një luftë të brendshme brenda PD-së?
Mendoj se ajo që publiku pret tashmë është bërë e qartë. Ndaj mos prisni prej meje që të futem në detaje të një historie të pakëndshme, e cila sipas meje është e iniciuar politikisht nga të njëjtët njerëz që detyruan z.Zaganjori që të tërhiqej nga gara. Ishte e njëjta logjikë, u përdorën të njëjtat artileri të rënda për të krijuar një traumë në zgjedhjen e presidentit. Z.Hoxha i ka bërë vetë të ditura arsyet e largimit. Por ajo që ndodhi ishte e papritur, ishte në një farë mënyrë një betejë e pisët për ta ndotur procesin e zgjedhjes së presidentit, duke pasur sigurisht një target, z.Hoxha, që ishte kandidati për president.
Duhet të jeni më të kujdesshëm në përzgjedhjen e kandidaturave?
Nëse ne do të nxirrnim një konkluzion nga e gjithë kjo histori me pas kuantë, kjo është vetëm një fjali: Që presidenti është kryepolitikan, i takon në radhë të parë politikës dhe e kundërta është përjashtim. Ne nuk mund të kthejmë në rregull një vetëpërjashtim. Rregulli duhet të jetë që politika duhet të zërë karrigen e kreut të lartë të shtetit.
Kjo ka qenë arsyeja që keni refuzuar kandidaturën e z.Sandër Lleshi?
Imagjino se sa larg do të ishim ne në rast se do të kishim një kandidat për president thjesht një ushtarak. Unë kam respektin maksimal për gjithë shërbëtorët e shtetit, edhe për ushtarakët gjithashtu, por nuk mund të mos them se një ushtarak është shumë më pak se një diplomat dhe një gjyqtar njëkohësisht. Një ushtarak ndoshta është më pak sesa një diplomat, dhe se një ushtarak është gjithsesi shumë më pak sesa një përfaqësues i shoqërisë civile që ka pasur karrierë politike dhe reformash. Dhe kjo ka qenë arsyeja që ne pa hyrë farë ne meritë, nuk kemi hyrë në meritë, madje nuk e njoh personalisht z.Lleshi, di që është zv.shef i shtabit të FA-së.
Dhe që e ka propozuar z.Kadare...
Është një vlerë e shtuar fakti që është propozuar nga z.Kadare, për vetë meritat e tij të padiskutuara, të njohura edhe ndërkombëtarisht, por është shumë pak. Sepse ne po krijonim modelin që ishim një republikë ushtarake, pasi na qëllonte që kandidatin për president konsensual që në vitin 2002 e deri më sot ta propozonin nga radhët e ushtrisë. Por në ndryshim me z.Moisiu, z.Lleshi kishte shumë më tepër defiçenca. Mosiu nuk u propozua se ishte ushtarak por kishte qenë edhe ministër, edhe zëvendësministër, pra kishte karrierë politike. A ka njeri sot të thotë se z.Nishani është ushtarak? Është shkëputur që në vitin ‘97 dhe ka një karrierë të pasur politike. Gjithsesi, kjo është plus që ka qenë ushtarak, sepse është dhe komandant i FA.
Është thënë se z.Berisha u është drejtuar deputetëve se, nëse nuk votojnë kandidatin Nishani do të kishte zgjedhje të parakohshme?
Po, është thënë dhe është plotësisht e vërtetë, dhe këtu nuk ka asgjë dramatike. Ne kishim dy rrugë, ose do ta rrëzonim tavolinën ose ne i qëndrojmë tavolinës, që presidentin e duam afër opozitës dhe jo larg nesh. Ky ishte kushti. Pra të gjenim diçka të mesme, që të mos provokonim opozitën por drejt një zgjidhjeje të pranueshme. Dhe shkuam tek Nishani.
Sa pranë zgjedhjeve të parakohshme ishim atë ditë?
As një milimetër pranë. Pra, qindra vite dritë larg.
E dini se e kujt është vota kundër Nishanit?
Sigurisht. Vota kundër është e z.Oketa, ndërsa dy fletët e bardha janë të z.Dule dhe z.Islami. Diferenca mes Dules dhe Islamit është se i pari e bëri publike, ndërsa Islami ishte më strikt, respektoi procedurën, por e ka thënë qartë se do të abstenonte. Të dy këta deputetë pavarësisht se nuk votuan për Nishanin, morën pjesë në proces dhe u distancuan nga mospjesëmarrja.
LSI e nisi si proces dhe e përfundoi si pazar zgjedhjen e presidentit, nisur nga deklaratat se do të votonte vetëm një president konsensual, ndërkohë që në fund e votoi?
Absolutisht jo. Ka qenë një qëndrim parimor. Parimësi e plotë. Nuk ka pasur asnjë rrjedhje votash dhe asnjë rrjedhje qëndrimesh. Ne zbatuam marrëveshjen PD-LSI.
A ndikon në marrjen e statusit të vendit kandidat moszgjedhja e presidentit konsensual?
Nuk ndikon, sepse ne jemi të hapur për bashkëpunim me opozitën. Madje duke nisur me heqjen e imunitetit, që javën që vjen të ulemi dhe të ndryshojmë Kushtetutën dhe të heqim imunitetin. Sa i përket reformës zgjedhore, Rama kërkon ta përdorë për ta rrëzuar qeverinë dhe në mënyrë që ta dështojë statusin e vendit kandidat. Qofsha i gabuar në këtë bindje që kam, nga ajo që lexoj tek pala tjetër.
Fatos Nano, ka pasur ndonjë shans për të qenë kandidat apo për të qenë president?
Z.Nano nuk ka pasur asnjë shans për të qenë një president konsensual, por ka pasur shans për të qenë kandidat i PS-së, të cilën e themeloi dhe e drejtoi për të paktën 15 vjet. Nëse opozita do të kishte ardhur në tavolinë me një numër normal kandidatësh, seriozë, personalitete të gjithëpranuara dhe të njohura të të gjithë shoqërisë shqiptare, sigurisht do të thosha se Nano nuk kishte punë mes tyre. Por në çastin që z.Rama ka sjellë në tavolinë vetëm emrin e z.Lleshi, askush në tryezë nuk e njihte madje edhe vetë ai nuk e njihte, por tha “kështu më ka thënë z.Kadare”. Sigurisht, z.Nano ka të drejtën e gjithë botës që të ndjehet i lënduar, po kështu edhe çdo socialist që mund të mos e dojë z.Nano. Sepse të paktën më përfaqësues i PS-së se z.Lleshi, ishte. Por sigurisht që Nano nuk mund të ishte i propozuar i PD-së, dhe nuk besoj se ai e ka pretenduar këtë, sepse z.Nano me të mirat dhe të këqijat e tij është një politikan profesionist, me eksperiencë shumë të gjatë, ka bërë gjeste liberale dhe të admirueshme në politikën shqiptare, por shquhet dhe për inteligjencë. Ai nuk pretendonte as ta mbështeste PD-ja, por nëse PS-ja do të gjente forca që ta propozonte në tavolinë, sigurisht që Nano do të konkurronte me njërin prej nesh, që mund të ishte z.Nishani, por ç’rëndësi ka tani. Sigurisht që z.Nano ndjehet i fyer, nga fakti që kjo nuk iu tha që në fillim, sepse ndërsa z.Berisha dhe të tjerët, z.Mediu të paktën, nëse nuk gabohem Meta, i ka thënë se “ne kemi 4 vota, nuk të bëjmë dot 20 vota, mund ta bëjë PS-ja apo PD-ja, mund ta kërkosh prej tyre, kanë kandidatin e saj”, kjo është normale.
Vendi vakant i z.Nishani në qeveri kur do të plotësohet dhe a do t’i lihet PS-së?
Kjo është një pyetje që nuk më takon mua t’i jap një përgjigje. Vakanca në Ministrinë e Brendshme nuk prish performancën e qeverisë. Gjithsesi për kohën e zëvendësimit besoj se do të bëhet nga kryeministri, në kohën më të përshtatshme. Sa për përfaqësuesinë, Nishani u largua nga kjo ministri si përfaqësues i PD-së dhe i takon kësaj partie.
Ju, nuk do ta pranoni postin e ministrit të Brendshëm?
Unë do të vazhdoj të jem në këto funksione deri në fund të kësaj legjislature. 

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›