E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nano iku nga PS, s’e kandidoj për deputet

TIRANE - Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje në emisionin “Fakt”, të gazetarit Çim Peka se nuk do ta kandidojë Fatos Nanon për deputet vitin tjetër. Ai tha se Fatos Nano ka ikur pa kthim që në 2007, pas një akti të turpshëm kur votoi për Bamir Topin President. Rama pohoi se vitin tjetër do të jetë në Parlament, por nuk saktësoi nëse do të jetë në krye të listës së kandidatëve për deputetë të PS-së apo do të jetë në Parlament vetëm në cilësinë e kryeministrit. Rama përsëriti se zgjedhjet do t’i fitojë pa LSI-në dhe Ilir Metën, të cilin e konsideron ish-mik.
Ju e keni vlerësuar zotin Nishani në një editorial tuajin?
Kam vlerësuar aspektin e komunikimit të tij që për hir të së vërtetës është një komunikim normal, edhe pse në substancë është e njëjta gjë si gjithë të tjerët.
Ju keni kaluar dy zgjedhje me zotin Nishani. Cili ka qenë roli i ministrit të Brendshëm?
Është e vërtetë që policia nuk ka qenë faqja e zezë e zgjedhjeve siç ka ndodhur në të shkuarën. Po ashtu është e vërtetë që asnjëherë si sot rendi në Shqipëri nuk ka qenë kaq i shthurur se sa në 1997. Gjendja e sigurisë është në nivele shumë të ulëta. Manipulimet me shifrat e kriminalitetit janë të ekspozuara dhe nga ana tjetër autoriteti i policit shqiptar është në pikat më të ulëta.
Po këmbëngul në këtë pyetje për zotin Nishani, për të marrë maksimumin e vlerësimit tuaj për profilin e zotit Nishani?
Është një profil i ulët pa ndonjë meritë të spikatshme. Është profili i një njeriu kokëulur, i cili ka patur një dallim nga të tjerët se nuk ka ngritur zërin dhe nuk ka vjellë vrerin e përditshëm të qeverisë ndaj opozitës dhe vetëm kaq.
Ju dhe zoti Berisha deshët një politikan kokëulur... Fatos Nano nuk ishte kokëulur?
Zoti Nano nuk ishte nga ana jonë. Nano ishte i paanë dhe i paanë e dini pse duke i marrë bilancin e përgjithshëm të jetës së tij, duke konsideruar një pjesë si kryetar i PS-së dhe 7 vite shërbëtor i politikës së Sali Berishës.
Mjeti i përdorur nga Fatos ishte vendosja e figurës dhe zërit të tij në shërbim të Sali Berishës dhe Saliu e ka patur qoftë në shërbim të tij, qoftë në funksion të mbështetjes së kandidatëve të tij.
Kur bëni thirrje për këtë bashkim votash pse nuk testuat për të mbështetur zotin Nano?
Firmat ka qenë i bindur vetë zoti Nano se ja kam thënë qysh në krye të herës se ne nuk përfshihemi në një garë me firma, sepse në këtë proces ne duam t’i shërbejmë interesit kombëtar. Ndërkohë që i kam thënë që në rast se gjithë përpjekja e tij për t’u ndodhur jashtë palëve dhe mes palëve do të funksionin si moment konsensusi, atëherë ne do të kontribuonim për këtë.
Pse nuk fusnit zotin Nano në garë? Se ju thonit që s’kemi votat.
Ne nuk u përfshimë në këtë proces për të bërë garë. Ne u përfshimë në këtë proces kur na u dha mundësia për tu përfshirë.
Politikisht a jeni penduar që kandiduat me një ministër të zotit Berisha në 8 maj dhe nuk u përballët direkt me Berishën?
Unë hyj tek ata njerëz që pendohem vetëm për mëkatet e tyre. Të gjithë jemi njerëz të vdekshëm dhe sipas gjërave që unë besoj të gjithë jemi mëkatarë, por në rastin konkret dhe besoj që në historinë time publike nuk kam bërë ndonjë mëkat dhe s’kam arsye për tu penduar. Nëse do flisnim për ndonjë reflektim është gjë tjetër.
Çfarë ndryshimi ka gegnishtja e gjyshes suaj me atë të Jozefina Topallit?
Është ndryshim mes gegnishtes mes një njeriu të kulturuar dhe një njeriu pa kulturë.
Pse duhet të përfshiheshit në zgjedhjen e presidentit kur e dinit se zoti Berisha do të shkonte te një ministër më shumë?
Unë kam pasur dyshime, por dyshimi i fortë nuk është arsye e fortë tek një njeri që ka në dorë drejtimin e fortë të opozitës. Dhe në takimin që kam bërë me kryeministrin kam bërë përpjekjet që të hapej një rrugë e arsyes. Kryeministri e kupton shumë mirë se çfarë ka bërë, ashtu sikur e kupton se çfarë peshe ka pasur çështja, me të cilën ai ka luajtur shumë rëndë, çështja e momentit me integrimin e vendit.
Pse nuk propozuat një emër në tryezë?
Kjo është një pyetje që vazhdon të bëhet. Është shumë e rëndësishme që gjithkush të kuptojë. Ne jemi pakicë dhe për sa kohë shumica vjen me një emër apo me 3 emra, pakica nuk mundet të hyjë në kotësinë e shpërdorimit të emrave të njerëzve të nderuar të cilëve u ka kërkuar paraprakisht miratimin për të qenë figura konsensuale dhe jo figura që konsumohen në publik. Dhe ju e dini që nëse shumica ulet në një negociatë me një pakicë, atëherë janë të nevojshme disa modalitete për të vendosur barazinë në tryezë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë moment, edhe pse unë e kam kërkuar. Në rast se doni emra, i kam thënë kryeministrit, ne jemi gati t’ua japim, por konsensusi është qëllimi ynë final.
I keni dërguar propozimin “Jam i gatshëm të votoj edhe Petraq Milo, vetëm hiqni dorë nga Zaganjori”?
Ky emër më është dhënë si alternativë dhe unë kam thënë që është absurde si kandidaturë, jo si person.
A keni diskutuar ju me zotin Meta për emrin e zotit Zaganjori?
Jo, emrin e Xhezaut e kam marrë vesh nga media.
Pse e refuzuat zotin Artan Hoxha?
Ishte një kandidaturë më politike se politiket. Zëdhënësi më zëplotë i qeverisë së Sali Berishës.
Takimi me zotin Meta a erdhi si kompleksim se në këtë vend nuk fitohet vetëm dhe me moral?
Takimi është ai që kam thënë, një takim pas një ftese publike që kam bërë unë.
Këto darka me raki Skrapari a tregojnë se as ju dhe as zoti Berisha nuk bëni dot pa Ilir Metën?
Absolutisht jo. Rakinë e Skraparit nuk e di pse e futët në këtë mes se është një produkt i nderuar që ka vendi, por nuk ka qenë pjesë e darkës, ashtu siç nuk ka qenë edhe ngjala. Ajo që unë do të thosha është e thjeshtë. Ka këtu një terren për teoritë e konspiracionit. E vërteta është që mbasi kam bërë ftesën kam folur në telefon me Ilir Metën dhe më ka ftuar që të shkoj ta takoj, duke qenë atje. Jam i bindur që ka qenë edhe një test besimi dhe kam dashur që t’ja jap këtë, aq më tepër kur ke një kundërshtar. Nuk kam shkuar atje për të rishkruar historinë. Apo për të kërkuar çfarë kam thënë apo çfarë më është thënë. Kam shkuar atje për domosdoshmërinë që unë si kryetar i opozitar dhe si kryeministri i gjysmës së ardhshme të vitit që vjen të bëj gjithçka është e mundur që ky test i cili dështoi të mos dështonte dhe Shqipëria t’i jepte një mesazh të qartë BE-së. Sot, si mund të flasim për ju si miq apo ish-miq?
Ish-miq. Nuk ishte një moment i ndërtuar për këtë çështje, por për një çështje që na kapërcen edhe ne, edhe palën tjetër, dhe individët. Ka momente që çështjet e mëdha bëjnë që të kapërcejmë me vetveten. Që i bëjnë armiqtë e betuar të njëri-tjetrit për vite me radhë siç ishin Isak Rabini bashkë me Arafatin që të uleshin bashkë. Ky ishte një moment historik.
A ndjeheni i tradhtuar nga zoti Meta pas...?
Nuk është çështje të ndjehem i tradhtuar se nuk kam kërkuar dhe as premtuar ndonjë gjë në këmbim që të vendoste këtë marrëdhënie. Ndjehem i zhgënjyer për pjesën e dytë të procesit. Ai luajti një rol pozitiv në pjesën e parë të procesit dhe negativ në pjesën e dytë të procesit.
Mund të ishte zgjedhur Jozefina Topalli presidente?
Me Jozefinën në Presidencë do kishim Saliun në katror. Saliun e kemi në kryeministri, ndërsa në Presidencë kemi një ministër të tij, një burrë të urtë nën urdhrat e tij. Me Jozefinën do të kishim një skifter të PD-së dhe nuk e di a i keni parë filmat e lindjes së mesme që mbajnë një fajkua.
Në 2007, zoti Topi u zgjodh me votat e opozitës?
Zotin Topi nuk e zgjodhëm ne. Zoti Topi u zgjodh përmes Fatos Nanos, i cili i vuri në dispozicion 6 deputetë.
2 prej të gjashtëve i keni kandiduar në 2009 dhe njërin prej tyre e pranuat rrugës?
Pse ku jemi këtu, në shoqërinë e njerëzve që pushkatohen përgjithmonë? Ata janë rikthyer në PS dhe kanë bërë meakulpën e tyre dhe kanë treguar se janë në PS në shtëpinë e tyre, gjë që nuk mund të thuhet për Fatosin.
I keni premtuar zotit Meta 12 deputetë?
Vazhdojnë përrallat, vazhdojnë ngjalat...
Ka rënë zoti Meta dakord që ju do jeni kryeministër dhe do i fitoni zgjedhjet bashkë?
Nuk ka lidhje kjo. Nuk kemi folur për çështje jashtë çështjes së Presidentit. Nuk kemi bërë asnjë bisedë të kësaj natyre, fare.
A do të ishit dakord të takoheshit me kryeministrin pas zgjedhjes së Presidentit?
Nëse do kishim një çështje me rëndësi dhe një është reforma zgjedhore, padyshim që po. Dhe nuk vetëm fjala për çështjen e Presidentit. Janë edhe 4 çështje të tjera sepse kanë lidhje me integrimin e vendit.
A ka mundësi bashkëpunimi me zotin Berisha deri në tetor për marrjen e statusit?
Gjasat janë minimale. Nëse ka mundësi që në këtë moment të mos vajtojmë atë që iku, por të realizojmë reformën zgjedhore, reformën parlamentare, çështjen e imunitetit dhe pastaj integrimin.
Fatos Nano ka folur me një lëvizje për të rimarrë PS-në. A ju duket se zoti Nano po ta ndërmarrë këtë lëvizje e ka të lehtë të tundë themelet tuaja në PS?
Mendoj që kjo farsë është një turp, është një turp i madh për njeriun që vetëm për pak ditë më parë vetëofrohej për të qenë kreu i shtetit të shqiptarëve dhe pak ditë më pas shpalos një fjalor që siç shkruan diku Ismail Kadareja do ta kishte zili çdo karrocier i dehur. Më mirë Fatos Nano apo Bujar Nishani?
Nuk i hyj fare këtij krahasimi. S’ka lidhje. Ne bëmë gjithçka mundën në drejtimin e duhur. PS-ja ishte në anën e duhur të historisë së këtij vendi.
Edhe në rast se zoti Nano merr këtë lëvizje, edhe duke pasur kontestues brenda partisë, ju nuk rrezikoheni?
Fatos Nano ka ikur nga PS në vitin 2007, ka ikur pa kthim. Ka ikur pas një akti shumë të turpshëm të votimit të Bamir Topit kundër vendimit të grupit parlamentar të PS-së në mënyrë të vazhdueshme ka investuar publikisht për të treguar se nuk ka asnjë lidhje me PS-në dhe për të realizuar miglimin e Sali Berishën në funksion të ëndrrës presidenciale. Ka dalë publikisht hapur kundër PS-së dhe nëse PS dhe unë personalisht kemi deklaruar se nuk e paragjykojmë emrin e tij për shkak të këtyre bëmave kjo ka qenë vetëm për një arsye për të respektuar historinë e PS-në. Nëse pala tjetër do jepte konsensus ne nuk do të bëheshim pengesë.
Do të ishit të gatshëm ta kandidonit për deputet, Fatos Nanon?
Jo.
Po zotin Meidani?
Nuk do bëjmë listat për deputetë. PS i ka deputetë dhe nuk është në periudhën kur duhet të plotësojë pjesën e mbetur të listës.
Nuk keni konkurrencë për vendin e kryeministrit në PS?
S’kemi sepse çdo gjë është e qartë në PS.
Edi Rama do të jetë pjesë e Parlamentit apo jo? Flitet se e keni fobi sallën e Parlamentit?
Përkundrazi. Kjo nuk ka lidhje fare. Unë në 2009 desha të hyj si kryeministër dhe të mos zë vendin e një deputeti që fare mirë mund të ishte në sallë. Mungesa e së drejtës së votës më dukej simbolikisht e rëndësishme. S’ka lidhje me asnjë lloj fobie. Ju siguroj se në sallën e Parlamentit do jem vlerë e shtuar për debatet që do të bëhen aty.
A do jeni pjesë e Parlamentit?
Padyshim që do jem në Parlament, kjo nuk diskutohet.
Fitoni edhe pa LSI-në?
Absolutisht po. Vitin e ardhshëm fitorja është aty dhe ne do të shkojmë ta marrim atë dhe do të qeverisim Shqipërinë për një Rilindje Shqiptare. 

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›