E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Sejdiu: “Zgjedhjet lokale në Kosovë, më 15 nëntor”



Presidenti Fatmir Sejdiu bëri të ditur dje se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në 15 nëntor, respektivisht të dielën e tretë të këtij muaji. Vendimi i presidentit Sejdiu pasoi një sërë konsultash që ai ka bërë më herët me partitë parlamentare dhe joparlamentare në Kosovë. Megjithatë, duket se presidenti Sejdiu nuk e ka respektuar dëshirën e gjashtë partive opozitare, AKR-së, LDD-së, AAK-së, ORA-s, PD-së dhe PSD-së, të cilat kanë kërkuar që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, për shkak të kushteve më të mira atmosferike dhe pjesëmarrjes së madhe në këto zgjedhje. Dy partitë e koalicionit ndërkaq, PDK-ja dhe LDK-ja, gjatë gjithë kohës ishin angazhuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në muajin nëntor, por duke mos e specifikuar datën. Përcaktimi i datës së zgjedhjeve lokale ka qenë në fokus të debatit në Prishtinë midis forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet. Propozimi i partive për mbajtjen e zgjedhjeve në gjysmën e dytë të muajit tetor është plotësisht në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet Lokale. Në zgjedhjet e 2007-ës morën pjesë vetëm 42 për qind e votuesve në Kosovë.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›