E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tranzicioni falimentoi industrinë e bakrit pas 70 vitesh rezistencë



Msc. Ing Nikolle GEGA*

Objektet me vlera kulturore e historike popujt me traditë e kulturë i kanë ruajtur që në kohët kur është krijuar njerëzimi. Shembuj të tillë ka plot në botë, si në Lindjen e largët, Lindjen e Mesme, apo edhe në Perëndim. Çdo komb ka historinë e tij, e cila, rast pas rasti, rivlerësohet në bazë të fakteve e dokumenteve të reja. Por, në ditët e sotme, mund të veprojnë edhe terroristë si të Kullave Binjake, apo të tipit Gërdec, sekserë rajonale e lokalë që veprojnë në interes të tyre me çdo mjet, me prishje e shkatërrime, për përfitime të majme, pa pyetur, në disa raste, as për jetë njerëzore.
Dihet, sipas fakteve historike, se ndër fiset e njohura në krahinën e Mirditës, ka qenë ai i Pirustëve, i shquar edhe për punimin e metaleve. Sipas të dhënave në shekullin XVI – XVIII bëhej shfrytëzimi i disa vendburimeve natyrore si bakri, kromi, plumbi etj në Mirditë, Mat, Trepçe të Kosovës, etj., nga pushtuesit otomanë, e më vonë deri në vitet e para të shekullit XX nga shoqëri të tjera të huaja. Madje, thuhet se në atë periudhë punëtore nga këto zona ( Mirditë e Mat ) janë dërguar për të punuar në industrinë analoge në disa vende në Europë. Në vitet 30 të shekullit të kaluar, ndër veprimtaritë e para që filloi të ri-ngrihej në qeverisjen e A. Zogut, ishte shfrytëzimi, e përpunimi i mineralit të bakrit, nga disa subjekte vendase, si Boriçi etj., në kushte relativisht të vështira.
Qeveria e Zogut ndërmori disa hapa shumë pozitivë për kohën. Forma që zgjodhi ishte dhënia me koncesion e pasurive natyrore në disa krahina të vendit. Kryesisht këto iu janë dhënë shoqërive italiane. Njëri prej koncesioneve ishte shfrytëzimi minerar për vendburimin e Dervenit dhe Rubikut, përpunimin e plotë të mineralit të bakrit në pasurim e shkrirje, duke finalizuar prodhim bakri blistër me 99 % Cu. Periudha koncesionare ishte për 99 vite ( faza I-rë 49 vite, me zgjatje afati); pra, referuar vitit, 1935 duhej të vazhdonte deri në vitin 2028. Ky koncesion, me gjithë problemet e kohës, tregon se atëhere kjo ishte një zgjidhje pozitive. Minerali i minierës se Rubikut, ishte me përmbajtje të lartë bakri; madje, kishte trupa me rreth 12 – 13 % bakër, e që sipas rastit, trajtohej direkt në procesin e fundit; atë të përpunimit në konvert. Me ketë fakt tregohet se në atë kohë nuk lejohej shfrytëzimi barbar i pasurive natyrore, ndërsa ne ditët e sotme, duket fenomen normal. Koncesioni arrinte të zhvillohej thuajse me cikël të plotë përpunimin në vend të pasurisë natyrore.
Bakri gjatë dhe pas Luftës
Në vitin 1942, pas ardhjes së pushtuesit gjerman, u ndërpre aktiviteti prodhues, sepse italianët u larguan nga vendi. Vlen të theksohet se objektet e tij nuk u preken; as dëmtuan, me gjithë luftimet e bombardimet që u bënë përfshinë edhe krahinën e Mirditës. Më vonë, pas luftës, në vitin 1946, rifilloi përsëri puna në këto objekte, natyrisht me mjaft vështirësi, ndër të tjera edhe për specialistët teknicienë, kryesisht në metalurgji.
Në vitin 1947 – 1948, janë specializuar punonjës në fusha te ndryshme të nxjerrjes por kryesisht; atë të shkrirjes, në Kombinatin e Bakrit në Bor të ish-Jugosllavi. Rreth viteve 1950, në këtë Uzinë punuan specialistët e parë vendas me arsim të lartë. Mes tyre ishin inxhinier Hajredin Kumbaro, Vasil Pashko, Vasil Terpo, etj. Miniera e Rubikut u mbyll rreth vitit 1964, për dy arsye kryesore; atë të vështirësisë në shfrytëzimin minerar sepse ishte në thellësi, me mjedis ujor të rënduar e shkallë të lartë rreziku për jetën, si dhe pakësimin e rezervave. Ndërkohe ishin hapur vendburime të tjera si Kurbnesh, Tuç, Rexhepaj; ndër vendburimet më të mira për përpunim në metalurgji ku një pjesë e rezervave ishin në sipërfaqe. Në vitin 1964, nga zbulimi i minierës së Rexhepajt doli si domosdoshmëri ndërtimi i një metalurgjie të re në afërsi të burimit. Specialistët vendas nën drejtimin e profesor Kumbaros, projektuan e ndërtuan një uzinë për prodhim bakri blistër në Rexhepaj të Kukësit, me skemë teknologjike si ajo e Rubikut, duke bërë disa përmirësime në drejtim të shkallës së mekanizimit. Deri në vitin 1966 bakri blistër eksportohej, ndërsa me investimin e ri ne Rubik, e në Shkodër, u arrit të realizohej cikli i plotë i përpunimit, me shfrytëzim kompleks të elementëve Bakër, Ar, Argjend, Selen, kripëra Platini e Palladiumi, prodhime tunxhi, bronz, tela e kabllo e asortimente të tjera me bazë bakrin.
Maksimumin e prodhimit kjo industri e arriti në vitin 1988 me rreth 15 mijë ton metal bakri, pasi u rrit prodhimi minerar, pasurimi e përpunimi në metalurgji me ndërtimin e uzinës së tretë në Laç.
Bakri gjatë tranzicionit
Duhet theksuar se vitet 90-të e gjetën këtë industri disi të amortizuar, e me pamundësi funksionimi në tërë objektet e saj. Kjo gjendje erdhi për shkak të shumë faktorëve. Vitet e tranzicionit bënë atë që të gjithë e njohim, shkatërrimin pa asnjë politike drejtimi, thuajse të tërë ekonomisë të krijuar se paku 70 vjeçare, rast i veçantë ky në Europën lindore, duke aplikuar të famshmen “ Terapi shok”, prej e së cilës viktimë mbeti edhe bakri. Me mbylljen e uzinës së Kukësit në vitin 1993, e më vonë, pas ngjarjeve të vitit 1997, u arrit në konkluzion se me rivënien në punë të industrisë se bakrit, do të punohej me uzinën Rubik.
Këtë tablo e bëmë, jo se nuk njihet, por të tregonim se uzina e Rubikut i rezistoi kohës, nuk u shkatërrua nga lufta, fatkeqësitë natyrore, apo ngjarje të tjera më vonë.
Për këtë, meritë të madhe ka edhe popullsia e zonës, sepse e ka ruajtur me shumë fanatizëm, për faktin se kjo uzinë ka mbajtur në punë qindra e mijëra vetë, me një kontribut në nivelin e jetesës por edhe të kulturës së tyre.
Megjithë problemet që kishte uzina, kjo vepër me zanafillë që në kohën e Zogut, rezistoi deri në prag të festës se Krishtlindjeve, në dhjetor të vitit 2008, pra për rreth 70 vite.
Tashmë, janë shitur thuajse të gjitha objektet dhe pajisjet. Madje, pak kohë më parë u shemben edhe dy oxhaqet e larta në Uzinën e Rubikut.
A ishte zgjidhja më e mirë kjo?
Pas vitit 2001, uzina e bakrit ne Rubik, së bashku me disa objekte të tjera miniera e fabrika pasurimi (për struktura shtetërore të përgjegjshme), trajtohen objekt koncesioni, dhënë kompanisë turke “BER-ONER”, sipas marrëveshjes përkatëse, të miratuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në prill 2001. Përpjekjet në vitin 2005, për heqjen nga lista e objekteve strategjike të Uzinës së Rubikut, pjesë integrale e industrisë minerare, nuk kanë vlerë juridike, sepse nuk mund të veprohet me vendim qeverie për objekte të dhëna me ligj me koncesion, si një ndër format e privatizimit, ku klasifikohen edhe objekte të tilla në ligjin për privatizimin.
Duhet lexuar mirë edhe ky vendim megjithëse pa forcë juridike për veprim, se në asnjë rresht të tij nuk citohet demolimi i Fabrikës së Shkrirjes në Rubik. Në keto kushte, autorët të justifikojnë bazën ligjore me të cilën lejuan realizimin e një hapi të tillë.
Kjo i takon strukturave përgjegjëse të investigojnë, se si është degraduar e tjetërsuar, duke humbur tërësisht qëllimin e objektivin marrëveshja e koncesionit
Sipas njohjes tonë, struktura ligjore përgjegjëse për degradimin e marrëveshjes, mos zbatimin e legjislacionit për koncesionet, shfrytëzimin minerar, etj., është ministria përkatëse e ngarkuar me ligj. Është e pafalshme fakti se që nga viti 2005 e deri tani, lejohet shfrytëzimi në kundërshtim me ligjin minerar i pasurive natyrore, në minierën e Munellës e Lak - Roshit. Për koncesionin, një grup specialistësh të bakrit, kanë bërë përpjekjet e tyre, duke dërguar shqetësimin deri në organet më të larta të shtetit në vitin 2006 - 2007.
Madje mund të themi se pas letrës dërguar kryeministrit Berisha në dhjetor 2007, filloi intensivisht puna për të bërë fakt të kryer pamundësinë e përpunimit në vend të mineralit e koncentratit të bakrit, duke demoluar, pa asnjë argument ligjor, teknik e shkencor sektorin e shkrirjes, e nxjerrë automatikisht pa punë edhe atë të rafinimit bakrit për një fazë të dytë veprimi.
Historia e një skandali
Në mbështetje të këtij veprimi, me sa duket, është keqpërdor zbatimi i projekteve mjedisore për rehabilitim të vatrave të rrezikshme. Zanafilla është një studim i kryer në vitin 2000 prej ish-Institutit të Teknologjisë Kimike (sot Agjencia e Mjedisit) mbi disa të dhëna që duheshin evidentuar për situatën mjedisore përreth qendrave industriale, kryesisht për vatra të rrezikshme.
Studimi jep të dhëna që në fakt lënë për të dëshiruar për nga saktësia e interpretimi, pasi dihet se në sheshet e uzinës Rubik ka materiale bakërmbajtëse me përmbajtje të elementëve kimike të njohur. Ndotja nga aktiviteti industrial ne Rubik ka qenë shkarkimi i gazeve, sepse nuk pastrohej nga SO2, ndërsa shkarkimet në ujë e tokë nuk ishin problem, pasi funksiononin skemat përkatëse të administrimit e kontrollit të mbetjeve.
Kjo ndotje në zonë ishte pjesore, e në periudha të veçanta, duke dëmtuar vetëm në një rreze rreth 500 metra fidanë pyjore, që më vonë u zëvendësuan me akacien e pishën.
Periudha 70 vjeçare me faktet e deritanishme, nuk ka provuar dëm tjetër, sepse nëse ishin të vërteta ato që pretendon projekti në fjalë, i pagëzuar nga strukturat e shtetit me miratimin edhe të Bashkisë së Rubikut, si shira acid me pH 3 –4 etj., përralla të kësaj natyre, sot nuk do ekzistonte asgjë në Rubik, si në florë, faunë, objekte, madje ishin shembur me kohë edhe oxhakët, pa pasur nevojë për groposje financimesh të konsiderueshme.
Fondet e dhëna nga BE-ja, përgjithësisht kanë destinacion rehabilitimin e disa prej vatrave, tashmë të klasifikuara të nxehta mjedisore, në të cilat nuk bënte pjesë Rubiku
Ndër këto janë, Sodë PVC-ja në Vlorë, Azotiku në Fier, zona e Porto Romanos, rajoni Patos – Marinëz, dhe lumi i Gjanicës në Fier (nga ndotjet e naftës), e deri tek Uzinat kimike në Laç.
Objekte të kësaj natyre, problematike nëse nuk mirëmbahen, janë dambat e pasurimit me prani të elementëve të dëmshëm nga reagentë të përdorur si cianure, etj..
Por mbase drejtuesit e projektit, nuk mund të arrinin me fondin e akorduar nga BE-ja, fitimet e parashikuara në Laç apo vatra të tjera realisht të rrezikshme
Përballë kësaj situate, duket se ishte më e lehtë, përdorimi i fondeve në Rubik, duke shfrytëzuar studimin e Vitit 2000; studim i kryer po nga ato struktura që propozuan trajtimin e qindra ton pesticidesh në metalurgji, fakt që punonjësit e qyteti e vuajtën në vitin 1998, me praninë e një helmi të paparë ndonjëherë në këtë Uzinë.
Sipas deklarimit në median e shkruar, theksohet se megjithë miratimin e dhënë nga Bashkia e Rubikut, kur është diskutuar projekti për demolimin e Uzinës dhe groposja e materialeve si mbetje te rrezikshme, për të cilën mendoj se e dinë mirë projektuesit se nuk janë të tilla, autoritetet mjedisore lokale e qendrore, deri në Janar 2008, nuk kanë dhënë lejen mjedisore.
Në këtë mes mund të ketë qenë ndërhyrje e fortë mbi këto struktura, duke arritur të sigurojnë firmën e Kryeministrit në K.RR.T.R.SH, për ta bërë landfill të mbetjeve të rrezikshme. Me sa njohim, nuk rekomandohet landfill për mbetje të rrezikshme në shtretër lumenjsh. Projekti për landfille të tillë në shkallë vendi, i cili do të shërbente për grumbullimin e tërë mbetjeve të rrezikshme që janë gjendje, dhe atyre që mund të shtoheshin për periudhe 15 vjeçare, është iniciuar në kuadër të Programit CARDS.
Në zbatim të këtij projekti, ekziston një inventar i vitit 2005 në Ministrinë e Ekonomisë, për mbetjet e rrezikshme gjendje, e atyre që mund të gjeneronte industria, i përgatitur nga institutet e vartësisë të këtij dikasteri
Ky projekt me një analize korrekte e me shumë përgjegjësi të strukturave ligjore, pas seleksionimit të rreth 50 zonave, arriti të seleksionoje tre prej tyre, e së fundi, në vitin 2005, u konkludua në një zonë në afërsi të Beratit. Ecuria më tej u ndërpre, ndër të tjera, edhe për mos arritje sinkronizimi të veprimeve me organet lokale. Do të ishte normale që strukturat përgjegjëse të punonin për finalizimin e këtij projekti me mjaft interes për vendin. Është e habitshme që ministria përfaqësuese e pronarit shtet, me firmën e personave pa njohje në këtë fushë, ka miratuar demolimin e uzinës së Bakrit të Rubikut, objekt i marrëveshjes koncesionare, e groposjes së saj në landfill si mbetje të rrezikshme. Nuk është përgjegjësi e jona që ky institucion, nuk ka informacionin e duhur, se ndër vatrat e nxehta mjedisore, përveç sa trajtuam me sipër, problem prej vitesh, është ish-Kombinati i Tekstileve në Berat, nga qindra ton amoniak që janë depozituar në linjat e pajisjet, tepër të korroduara.
Nëse kishin vullnetin, duhej rinegociuar projekti i landfillit të filluar që në vitin 2002, meqenëse ishte harxhuar një pjesë e mirë financimi, ose mund ti përdornin këto fonde me destinacion më efikas, në Berat, duke kryer një shërbim të vyer zonës. Mbase ky dikaster, nuk ka objekt zgjidhjen e problemeve, me fondet dashamirëse të taksa paguesve europiane, por të keq orientojnë e të fusin në qorrsokak edhe strukturat përgjegjëse që duhet të përgjigjen për menaxhimin e tyre.
Korrupsioni harron strategjitë
Sipas të dhënave, në korrik të vitit 2006, është miratuar “Strategjia e zhvillimit të industrisë nxjerrëse e përpunuese dhe burimeve natyrore për një periudhë 15 vjeçare” pjesë integrale e S. K. Zh. Integrimit.
Në ketë dokument ligjor, përgatitur nga ky institucione ( A. K. B Natyrore) në kapitullin e industrisë së bakrit theksohet, se objekti i vetëm në skemën e shkrirjes e përpunimit të bakrit mendohet të jetë e vetme uzina e Bakrit në Rubik
Ka vite që strategjinë për industrinë metalurgjike në ministrinë përgjegjëse e hartojnë disa specialistë të minierave, ndërsa specialistit të vetëm metalurg, ndoshta pa mbështetjen e duhur, i kërkohet vetëm informacion rreth arritjeve në industrinë e bakrit deri në vitin 90-te sepse pas këtij viti ka shkatërrim të saj.
E theksojmë ketë fakt, pasi po këto struktura për ecurinë e degës së bakrit me përfshirje edhe të Uzinës Rubik, në një hark kohor të shkurtër, kanë mbajtur qëndrime të ndryshme e kontradiktore, ndoshta nën presion e në vartësi te interesave të ndryshme
Kush e merr përsipër këtë përgjegjësi, që me veprime apo mos veprime, të legalizojë shfrytëzimin pa kriter të pasurive natyrore, kur programi i qeverisë aktuale, ndër prioritetet e saj kishte rivlerësimin e koncesioneve në shërbim të interesave te vendit
Kujt i vranë syrin objektet e uzinës së Rubikut, kur nga Jugu në Veri ka dhjetëra oxhaqe industriale, por sa duket me ketë projekt mund të shërbehej më mirë krahas të tjerave edhe piraterisë së huaj minerare.

Vijon në numrin pasardhës

*Autori i shkrimit është ish-kryeinxhinier i Uzinës së Bakrit në Rubik

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›