Presidenti Tadiç: “Bisedime të tjera për Kosovën”
Presidenti pro-perëndimor i Serbisë, Boris Tadiç, ka kërkuar bisedime të tjera mes Serbisë dhe Kosovës duke kundërshtuar shpërbërjen e shtetit të tij kur Kosova të shpallë pavarësinë.
Presidenti Tadiç këtë deklaratë e ka bërë në Gjermani dhe ka theksuar se bisedimet e tjera mes palëve janë e vetmja mundësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Gjatë fushatës zgjedhore, Tadiç dhe kundërshtari i tij, Tomislav, kanë shprehur të njëjtin qëndrim për Kosovën. Pro-perëndimori Tadiç e shikon vendin e tij përkrah Europës, por pa shkëputjen nga Kosova. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Nikoliç duke theksuar se Kosova kurrë nuk do të shkëputej nga Serbia. Brenda muajit shkurt, udhëheqësit e Kosovës pritet të shpallin pavarësinë. SHBA-të dhe shumica e vendeve të Bashkimit Europian mendohet se do ta njohin dhe mbështesin pavarësinë. Deklarata të shumta kanë ardhur nga autoritetet kosovare, kryesisht nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka premtuar se data e shumëpritur është shumë afër. Burime afër Kryeministrisë kosovare para disa ditësh njoftuan se pavarësia e Kosovës do të shpallej më 17 shkurt. Presidenti Tadiç është shprehur se nuk do ta pranojë absolutisht atë që e ka cilësuar si shpërbërje të vendit të tij. Megjithatë, ai tha se nuk do të pranonte as izolimin e Serbisë nga BE-ja. Ai këmbëngul se e vetmja mundësi për një zgjidhje të sigurt është rifillimi i bisedimeve. Megjithatë, diplomatët perëndimorë janë shprehur se muajt e gjatë të bisedimeve nuk sollën asnjë rezultat dhe se do të ishte pa vlerë që ato të vazhdonin më tej. Të vetëdijshëm për pozicionin e Rusisë, nuk ekziston një kohë e mirë për Kosovën që të shpallë pavarësinë.
11 Shkurt 2008